TIRANË- Sot hyn në fuqi ligji i dekriminalizimit, që parashikon ndalimin e përfshirjes në politikë apo emërimin në poste të larta zyrtare të personave me të kaluar të errët. Ligji konsensual, i miratuar në parlament më 17 dhjetor, synon të garantojë integritetin e personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike, përmes dekriminalizimit të organeve të zgjedhura.

Ligji, pas publikimit në fletore zyrtare, merr sot fuqi të plotë, por procesi i verifikimit të figurës së nëpunësve të administratës do të shtyhet edhe për pak kohë, pasi aktet nënligjore që rregullojnë gjithë proçesin e zbatimit të tij nuk janë ende gati, ndërsa përfaqësues të dy kaheve politike pritet të nisin nga puna javën e ardhshme për hartimin e tyre.

Më pas, institucionet do të nisin me shpërndarjen e formularëve, të cilat ligji i përcakton si instrumente kryesorë, pasi shërbejnë për vetëdeklarimin e së shkuarës nga çdo nëpunës i administratës në të gjitha nivelet.

Më 17 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet  (131 vota) edhe paketën e ndryshimeve kushtetuese, e hartuar në funksion të ligjit të dekriminalizimit, ku parashikohet kategoria e zyrtarëve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose që duhet të lënë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të kaluarën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: