Nga: Fatos Çoçoli *
Opozita kryesore e vendit, kur në dhjetor 2014 shpalosi flamurin e dekriminalizimit të jetës politike të vendit (duke ia kërkuar vetëm pozitës, sikur ajo nuk kishte “skeletet e saj” në sirtar!), as që e mendonte se kauza e saj do të ishte kaq serioze dhe do t’i bënte kaq mirë vendit. Pse vendimi për të hetuar në gjendje arresti dy deputetë që nuk e kanë bindur prokurorinë se nuk kanë prodhuar një skenar fals për porosi vrasjeje, kthen autoritetin e shtetit me një forcë që do ta kuptojmë në ditët që do të pasojnë. Për herë të parë mund të shpresojmë se po perëndon edhe te ne epoka e “të fortëve” alla “Al Kapone”. E njerëzve që ndikojnë në politikë, ose madje edhe hyjnë vetë furishëm në të, përmes parave të pista të tregtisë së drogës apo prostitucionit, apo dallavereve dhe allishverisheve me tenderat publikë të shtetit. Këta “të fortë” nuk gjallojnë vetëm në radhët e shumicës së sotme qeverisëse, por kanë gjetur strehë edhe në radhët e opozitës sonë, pas “investimeve” në fushata zgjedhore gjatë tetë viteve që kjo pozitë ishte në pushtet. Kur u prishen ujditë dhe ka politikanë apo ministra që guxojnë të mos u vijnë pas avazit, nisin e ngrenë krye. Kërcënojnë se nuk do të ndihmojnë kryetarin e partisë, apo sipas rangut dhe rëndësisë së ndikimit të tyre, sekretarin e partisë në rrethin ku janë, apo kandidatët në zonat e rrethit apo qarkut, me fonde dhe mbështetje të tjera logjistike, me automjetet e biznesit, vendosje sallash e ambientesh të tjera në dispozicion të aktiviteteve politike, përballime të drejtpërdrejta drekash e darkash, apo prodhim pankartash, banerash, flamujsh, fletëpalosjesh, etj. Për të gjitha këto, këta “të fortë” kërkojnë në këmbim favore për tenderat publike, ose të marrin një pozicion ku këto tendera mund t’i ndikojnë vetë drejtpërsëdrejti. Zakonisht ky pozicion është anëtar i Parlamentit shqiptar apo kryetar bashkie e komune të rëndësishme. Dhe këto pozicione i kanë marrë si tek Partia Demokratike, ashtu dhe tek ajo Socialiste. Këta “të fortë” kanë hyrë në politikë me arsyetimin: “I dhashë partisë sime (kryetarit, sekretarit të përgjithshëm, deputetit filan, etj.) ‘x’ milionë lekë apo euro në katër vite pushtet kjo parti, ky kryetar, sekretar, etj., duhet të më japin ‘y’ milionë lekë apo euro, ku diferenca është dukshëm në favor të shifrës ‘y’ (e kush do të ishte ai sipërmarrës budalla të hynte tek ne në politikë për të humbur para?!). Historia e politikës shqiptare të pas-diktaturës, sidomos ajo e 15 viteve të fundit, e tregon qartë se që të dyja partitë kryesore të vendit (të tjerat po e po) u janë “dorëzuar” llogarive të tilla të këtyre “të fortëve” dhe kanë mbuluar lugët e çorbës së prishur që këta “të fortë”, tashmë disa syresh edhe anëtarë të Kuvendit, kanë gëlltitur gjatë aventurës së tyre në biznes. Mbulojnë problemet që këta kanë me drejtësinë dhe policinë shqiptare, apo ndihmojnë edhe kur këta duan të mbrojnë njerëz të kërkuar nga shteti për aktivitet kriminal apo abuzime financiare. Këto janë “favoret” që politikanët e karrierës ua kanë bërë me okë këtyre “të fortëve”, të mësuar t’i shkojnë pas njëshit të partisë apo qeverisë së radhës dhe-kur nuk janë bërë ministra-të mësuar për t’u sjellë arrogantë apo tejet mase kërkues me politikanë të një niveli më të vogël, apo ministra e drejtorë të rëndësishëm në tenderat qeveritare. Ky raport okult dhe shumë i dyshimtë politikë-biznes “të fortësh” nuk ka lindur sot në Shqipëri. Ka të paktën një dekadë e gjysmë që po përvijohet shumë shqetësues për aleatët tanë perëndimorë, pse shoqëria jonë civile dhe opinioni ynë publik është tejet i përgjumur për të kuptuar rrezikun e këtyre lidhjeve të errëta. Inskenim apo jo i vrasjes së dy deputetëve, hesapet e prishura në arenën e tenderave publikë tregojnë, edhe kur ato nuk dihen mirë se ku dhe si janë prishur, se ku mund të gremiset vendi në pasiguri dhe skenarë mafiozësh. Prokuroria shqiptare po e mbron vendin dhe të gjithë ne qytetarët, me këtë kërkesë të fortë Kuvendit për të arrestuar dy deputetë, të cilët ajo i dyshon se kanë stisur diçka të tillë. Po e mbron larg orekseve apo ndikimeve të partive politike, të cilave si atyre në pushtet, edhe asaj kryesore në opozitë, nuk ka si t’u interesojë që disa të vërteta të pakëndshme që këta “të fortë” dinë për raportet politikë-biznes “të fortësh”, të dalin në dritën e diellit. Nëse edhe kësaj radhe prokuroria do të shantazhohej nga presioni i politikanëve që duan të mbrojnë me çdo kusht këta “të fortë”, atëherë po që do të ktheheshim në periudhën që sapo kemi lënë pas, në vitet 2001-2014, kur politika ishte bërë pre e “sipërmarrësve” të llogarive të mësipërme me “x” dhe “y” lekë e euro, që u bënë gjithnjë e më shumë kërkues për t’u kthyer në deputetë e ministra apo kryetarë bashkish, në këmbim të favoreve të tyre të bëra ndaj politikës. Ky raport sot është goditur në palcë të tij dhe duhet të qëndrojë kështu i plagosur, që politikanët tanë të karrierës të zënë mend dhe të bëjnë më në fund ligjin e lobimit në politikë, që cilido sipërmarrës që i futet asaj, t’i deklarojë fondet dhe mbështetjen, në këmbim të favoreve të llogaritura dhe transparente në ulje nga taksat dhe rritjen e shpenzimeve të zbritshme nga taksimi, pavarësisht se sipërmarrësi mbështet partitë në pushtet apo ato në opozitë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: