*PD kërkon 2 kushtet e tjera: Jo me ‘Prengat’ ne kuvend
*Halimi: Pa u plotësuar këto kushte opozita nuk mund të vazhdojë të rrijë më në këtë parlament
* Bylykbashi: S’ka më shteg për kriminelët
*Ja Formularet qe u miratuan sot

TIRANË- Merr fund saga e akteve nenligjore por te tjera zhvillime kane pushtuar seancen e sotme te Parlementit. Pas debateve te nisura prej dites se djeshme ne Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, pas arritjes se nje marreveshje pozite-opozite, Kuvendi u mblodh sot pas mesdite ne seanca parlamentare ku miratoi me 114 vota aktet nënligjore për ligjin e Dekriminalizimit. Ky hap i sotem e bën ligjin per Dekriminalizimin të zbatueshëm.
Seanca ka nisur sot rreth orës 14:40, për shkak se dje nuk u arrit një marrëveshjeje mes maxhorancës dhe opozitës. Sakaq, Tv News 24 siguron formularin me aktet e dekriminalizimit. Pavaresisht votimit te akteve, opozita braktisi punimet dhe deklaroi bojkot pasi sipas se djathtes, ne parlament ka ende kriminele, ndaj qendrimi aty eshte i pamundur. Kryeministri Edi Rama qendroi vetem minutat e para te seances dhe u largua per nje takim qe kishte planifikuar me socialistet ne Elbasan.

MIRATOHEN ME 114 VOTA PRO AKTET NËNLIGJORE TË DEKRIMINALIZIMIT
Kryeparlamentari Ilir Meta ka njoftuar për verifikimin e prezencës dhe votimin e këtij vendimi. Në seancë kanë qenë të pranishëm mbi 110 deputetë, pra kuorum i mjaftueshëm për miratimin e akteve nënligjore të dekriminalizimit.

Projektvendimi është hedhur në votim dhe 114 deputetë kanë votuar pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kryeparlamentari Ilir Meta ka falënderuar deputetët për për bashkëpunimin, durimin dhe konsensusin.

Bylykbashi: Akti që përmbyll një betejë dyvjeçare për dekriminalizimin e politikës
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka marrë fjalën i pari në seancë duke deklaruar se me këtë marrëveshje mbyllet një betejë 2-vjeçare për dekriminalizimin. Negociatori i PD-së për aktet nënligjore të ligjit të dekriminalizimit, Oerd Bylykbashi ftoi deputetët të miratojnë zbatimin e këtij ligji.

“Ky është akti që përmbyll një betejë dyvjeçare për dekriminalizimin e politikës. U detyruam që të mos na mjaftonte gërma dhe fryma e Kushtetutës, pati vullnet të keq të politikës, kriminelët u morën prej dore dhe u futën në politikë e administratë. Betejë që përmbyllet vetëm faza ligjore, nuk kishte mundësi që vetëm na duhej ky ligj karantinë për të keqen. Na u desh një vit për konsensusin e 24 dhjetorit, u deshën dhe 3 muaj për të votuar këtë akt. Është shumë kohë për kaq pak nene. Shqiptarët presin ta miratojnë, presin largimin e kriminelëve. Një pakt kur bëhet respektohet dhe nuk tërhiqet varrë”,- tha ai.

Ndërsa akuzoi mazhorancën për zvarritje, Bylykbashi tha se me vënien në zbatim të këtij ligji nuk ka më shteg të lirë për kriminelët në plitikë e administratë.

“Presioni i opozitës dhe ndërkombëtarëve na sjell në këtë ditë. Kjo që keni përpara, që miratoi Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet është një pr/vendim i detajuar, nuk lë shteg që kriminelët ti shpëtojnë. Nuk do lejojmë që ligji të kthehet në një gërmë të vdekur të veprojë nga ata që mbajnë funksione kushtetuese, deri tek punonjësit më të thjeshtë”.

RUÇI-BERISHËS: I DOLI, S’I DOLI TYMI, SHYQYR QË E LËSHOVE SE E MBAJTE NGREHUR DY DITË
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi teksa i është kundërpërgjigjur deputetit Sali Berisha në lidhje me deklaratat dhe qëndrimin e tij për negociatat për ‘Dekriminalizimin’ mes opozitës dhe mazhorancës, theksoi se pas shumë diskutimesh kësaj çështje i ‘doli tymi’.

Me tone ironike nga foltorja e Kuvendit, Ruçi pohoi se këto ditë shqiptarët janë njohur me ‘zhvillime të rëndësishme e barsoleta’. Nga ana tjetër kreu i Grupit të PS-së, tha se ky moment nuk duhet të kthehej në kredibilitete të pamerituara partiake. “Nuk do dëshiroja që edhe ky moment të kthehej në kredibilitete të pamerituara partiake. Ka dy ditë që publiku i njohur po njihet me zhvillime të rëndësishme e barsoleta, doli tymi apo s’doli tymi. Doli tymi zoti Berisha, shyqyr që e lëshove, se e mbajte ngrehur dy ditë. Ne jemi treguar serioz, U bë një pak para shumë kohësh edhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, që u arrit me dakordësi politike deri në ndërhyrje kushtetuese të vendit. Ai u kontretizua me ndryshime ligjore”, tha Ruçi.

Ruçi tha se për këtë çështje maxhoranca nuk ka patur as më të voglin hezitim, përkundrazi ja la në dorë opozitës t’i paraqiste ato. “Për çudi i zvarrit. Ne iu referuam një precedenti, ligji Severin në Itali. Pothuajse miratuam atë ligj në organikë, me pak ndryshim. Shqiptarët dhe opozitarët kujtuan se shpikën rrotën. Mund të merrnim edhe projektvendimin e parlamentit italian siç ishte. Unë nuk e di se çfarë keni tjerrë në projektvendim. Shpresoj të mos e bëjë kush objekt konflikti me kushtetutën e vendit që të mos e hedhë poshtë. Jemi këtu ta votojmë sipas marrëveshjes që është arritur”, deklaroi Ruçi.

HALIMI: NUK GARANTOHET LARGIMI I PRENGËS NGA KUVENDI
Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se pavarësisht marrëveshjes, asgjë nuk e siguron largimin e deputetit Prenga. Halimi tha se maxhoranca ka penguar realizimin e 3 çështjeve për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit të 2014-ës.
“Çështja e parë dhe më kryesore për të cilën opozita u kthye në parlament kishte të bënte me dekriminalizimin dhe largimin efektiv të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale nga parlamenti. Ky proces në mënyrë të padiskutueshme duhej të përmblidhej bashkë me ligjin, instrumentat dhe me largimin efektiv të deputetëve me rekorde kriminale. Të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë se si u pengua ligji për dekriminalizimin për një vit e gjysëm rresht dhe aktet që u miratuan sot duhej të ishin miratuar 3 muaj më parë, por ajo që ndodhi kishte të bënte edhe me ardhjen këtu në parlament të një deputeti i cili gjakosi qytetarët shqiptarë të pafajshëm në derën e komisariatit të policisë. Ky është kusht i pasdiskutueshëm që opozita të vazhdojë një jetë parlamentare normale, largimi efektiv i deputetit Prenga i cili erdhi në seancën e kaluar për të votuar ministrat e qeverisë dhe nuk ka akoma një akt të pastër ligjor që të ndalojë përfundimisht deputetit Prenga të vijë këtu në parlament.
Kushti i dytë i marrëveshjes së 24 dhjetorit kishte të bënte me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që ndodhi 2 ditë më pare, ishte se u injorua vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Precedenti i rastit Kokëdhima kishte të bënte me një shkelje të dytë të marrveshjes së 24 dhjetorit dhe kjo është një çështje e padiskutueshme për një marrdhënie normale në parlament. Thyhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila urdhëronte Parlamentin që mos tia fshehë drejtësisë deputetët që kanë përfituar fonde publike. Deri në ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të padiskutueshme, marrëveshja e 24 dhjetorit është duke u shkelur. Ashtu si kushti tjetër i tretë i marrëveshjes së 24 dhjetorit kishte të bënte me funksionimin normal të komisioneve hetimore parlamentare të cilat gjatë gjithë kësaj kohe janë penguar dhe vazhdojnë të pengohen.
Ndaj për të treja këto kushte, Partia Demokratike ka depozituar sot nisma konkrete ligjore, kërkesa konkrete të cilat duhet të materializohen në mënyrë të shpejtë. Në mënyrë që deputetët me rekorde të tmerrshme kriminale, deputetët që gjakosën qytetarët e thjeshtë në dyert e komisariatit të mos shkelin më në parlament, në mënyrë që deputetët të cilët përfitojnë fonde publike duke patur kostumin e deputetit nuk duhet të rrinë as edhe një minutë këtu në parlament. Në mënyrë që komisionet hetimore të opozitës të cilët zbulojnë të gjitha aferat e qeverisë, të jenë efektive. Pa u bërë dhe pa u plotësuar këto kushte opozita nuk mund të vazhdojë të rrijë më në këtë parlament”, tha Halimi.

Pas fjales se Halimit, opozita ka lene sallen e Kuvendit, duke deklaruar bojkot te punimeve te Kuvendit.

(m.k/ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb