Nga: NDRIÇIM MEHMETI*
Prej muajsh, për të mos thënë prej një viti, nga emisioni në emision, çdo shpërthim tritoli, zënkë në parlament, kile, kuintal dhe tonelatë droge që gjendeshin, kishin si justifikim mbështetjen politike që kishte fituar krimi. Për vite të tëra, politika shqiptare e ka hedhur veten me shumë dëshirë në amfiteatrin e gladiatorëve, ku mungonte ndeshja në arenë, por nuk mungonin akuzat prej tribunave respektive të pozitës dhe opozitës. Pavarësisht kësaj lufte deri diku me nota të egra, askush nuk kishte provuar akuzat e tij përpara një trupe gjykuese apo së paku të kishte filluar një hetim serioz. Opozita e pas 23 qershorit, që në fillimet e punës së qeverisë, denoncoi një sërë rastesh, në parlament, administratën e lartë shtetërore, polici e dogana, që ishin uzurpuar prej elementësh me të kaluar kriminale dhe me probleme të rënda me drejtësinë. Pozita iu përgjigj me masa gjysmake dhe nuk mori asnjëherë guximin të zhvillonte një operacion vetëpastrimi në radhët e saj. Në mungesë të këtij vullneti, opozita justifikoi bojkotin e saj, përmes parimit të dekriminalizimit, i cili rezultoi jo pak i suksesshëm. I parë me skepticizëm, tallje dhe ngërdheshje ironike, në fillimet e shpalosjes së kësaj ideje, “bomba Doshi”, që plasi në oborrin e qeverisë, e bëri më shumë se aktual dekriminalizimin. Kryeministri, si një mjeshtër i vërtetë i kthimit të disfatës në fitore, priste me shumë vëmendje zhvillimet e ngjarjeve, për të ndërmarrë aksionin e tij politik. Rama gjeti rastin më të mirë që, përkundrejt problematikave të një makine rilindjeje që xhiron në vend, ta zhvendosë të gjithë vëmendjen në “vullnetin e tij të hekurt”, që ky proces të zhvillohet sa më shpejt. Po si? Ngremë Byronë e Hetimit, presim të marrim ndonjë “axhans nga Evropi” nëse kemi nja dy-tre deputetë të kërkuar, dënuar apo pleksur në ndonjë vrasje të vogël ose kamion të kaluar pa dashje me drogë, e të gjithë këta, së bashku me disa kryekomunarë e kryetarë bashkie të djathtë e ndonjë të majtë, që mbeten pa mandat pas 21 qershorit, mund t’i bëjmë objekt të ndonjë hetimi, që edhe ShBA e Evropën ta kënaqim.
Po pastaj? Cila Byro, ministri, organizëm shtetëror, do të merret me varfërinë që po kaplon gjithnjë e më shumë në masën e popullatës së këtij vendi? Kur do të na paraqitet një plan masash, për zonat që u përmbytën në jug të vendit? Cilat janë verimet e organizmave qeveritarë, që të ndalim apo të minimizojmë sa të jetë e mundur kapriçot e motit? Kur do të vijë koha të merremi seriozisht me shërbime, turizmin, shfrytëzimin e trashëgimisë arkeologjike, të vendit, ruajtjen dhe jo shkatërrimin e saj, konservimin dhe jo betonizimin, në emër të projektit të rilindjes së qyteteve shqiptare? Përse nuk flet askush për shifrat e rritjes ekonomike, që ndryshojnë çdo dy muaj? Kush do të mbajë përgjegjësinë me denigrimin, injorimin dhe vënien nën thundrën e qeverisë rilindëse, të arsimit të lartë? Kush do ta ndalë valën e rrënimit të arsimit parauniversitar duke e politizuar atë deri në qelizën më të vogël të tij, që është shkolla? Kush do të përgjigjet për faktin se mësuesit janë kthyer në skllevërit modernë të qeverisë së sotme dhe një lodër në duart e drejtuesve të papërgjegjshëm të Ministrisë së Arsimit? Po dhunën verbale, fizike, ngacmimet seksuale në shkollë, cili do të dalë t’i justifikojë dhe jo t’i mbulojë si “probleme të sistemit dhe ca njerëzve që na sulmojnë ne që po punojmë për herë të parë”? Kush do t’u kërkojë një ndjesë, qoftë edhe formale, gjithë shqiptarëve, për peshëngritësit që i mburrëm aq shumë dhe tani s’kualifikohen për përdorim substancash të ndaluara apo, thënë në gjuhën e popullit, si të droguar? Kush do të merret me menaxhimin sa më të mirë të pasurive hidrike, pyjore, nëntokësore në shërbim të një mirëqenieje më të mirë për qytetarët e këtij vendi? E, kush, kur dhe si do të merret kjo qeveri me burimet njerëzore? A do të ndalet fshesa e pastrimit mbi administratën, në emër të mbushjes me militantë, prej rojeve e pastruesve e deri te magazinierë e shoferë?
Këto pyetje e shumë si këto, kalojnë përtej dekriminalizimit. Kur flasim për dekriminalizimin, me të drejtë, shumë analistë e njerëz të thjeshtë, që e dinë fare mirë të kaluarën e politikanëve që janë në qeveri e Kuvend, thonë: “Ore, po dale njëherë, se ky e ai nuk kanë as shkollë!” Po kush kujdeset që shkolla jonë të jetë e atillë që të kultivojë ndjenjën e lidershipit, meritës, debatit, tolerancës dhe zgjidhjes së problemeve në rrugë paqësore? Cilat janë rezultatet e një sërë iniciativash të marra prej OJF dhe MAS, në këtë fushë për vite me radhë? Çfarë po bëhet për të investuar sa më shumë në universitetet tona, për t’i kthyer në vatra të mësimit dhe kërkimit shkencor, që me projektet që ata do të paraqesin, t’i paraprijnë një zhvillimi të shëndetshëm dhe afatgjatë të vendit? Si do të arrijmë që të tërheqim sa më shumë turistë dhe njerëz kureshtarë për vendin tonë gjatë gjithë vitit dhe jo në dy-tre muaj të verës, pak në pranverë e disa syresh në vjeshtë? Cilat janë mekanizmat që mbrojnë administratorin e shtetit prej dhunës politike dhe promovimin e atyre që e meritojnë përmes punës dhe jo ndërrimit të ngjyrës si kameleon, sa herë që ndryshojnë qeveritë? A ndihet më mirë administrata tani e uzurpuar në një masë jo të vogël me sahanlëpirës, njerëz që betoheshin për kokën e Berishës dhe për fundin e Ramës, ithtarë të fushatave elektorale të qeverive, duke shitur nderin dhe veten me një qëllim të vetëm: Të mbahemi fort pas karriges së një ministrie, në mungesë të plotë të aftësisë profesionale. A është e lumtur ministrja e Administratës Publike, kur konkurset e saj të paligjshme dhe shndërrimi i administratës, sipas saj politike, në profesionale, rezultoi në një fiasko të madhe? Nuk e di nëse populli është i kënaqur me pensionet që rriten kaq e aq, nuk e di nëse mësuesit janë të kënaqur që u është rritur pensioni ish-kolegëve të tyre, ndërsa ata duhet të presin pragfushatën e 2017-ës, për të marrë ndonjë premtim për shpërblim dhe rritje rroge. Nuk e di sa e vërtetë do të rezultojë nisma për testimin e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Por një gjë e di mirë, se rilindja e shëndetësisë, solli më shumë vuajtje dhe pasoja negative, ndërsa rilindja në arsim u vuri kazmën arritjeve të krijuara me shumë mund e djersë prej të gjithëve ndër vite. Nëse mendojmë se testimi, gjobitja, shtrëngimi i njerëzve me të vetmin mjet dhunën dhe burgun, do të ringjallë shpresën për një jetë më të mirë, besoj se jemi futur një rrugë pa krye.
Përtej dekriminalizimit, të gjithë besoj se presim që qeveria të na tregojë me vepra dhe jo fjalë se jemi në rrugën e mbarë për të gjallëruar ekonominë, ulur varfërinë dhe rritur shpresën se ky vend mund të bëhet. Duke thënë kryeministri se, “nuk e di sa deputetë kemi me probleme”, apo duke pritur prej ndonjë analisti, të faktohet se kreu i qeverisë dinte ose nuk dinte se cilët ishin bashkëpunëtorët e grumbulluar rreth vetes, vetëm sa gënjejmë veten në funksion të qejfbërjes. Njëherësh me dekriminalizimin, duhet dhe mundet të bëjmë menjëherë demistifikimin e opinionit se “jemi më mirë se tremujori i fundit i 2013-ës”, “kemi 1.2 për qind më pak të vrarë”, “më shumë domate e vezë që shkojnë jashtë vendit”. Stomakut bosh të shumë familjeve dhe radhëve të të papunëve, nuk i duhet propaganda dhe as ngjyrat kombëtare e tryezave të përbashkëta të qeverisë sonë dhe asaj të Kosovës. Qytetarëve të këtij vendi, si në të gjitha vendet ku duam të shkojmë, u duhen më shumë mundësi, për të punuar, jetuar me dëshirën e madhe për të ardhmen dhe jo mediokriteti i një propagande të shpëlarë, së cilës, vështirë se i besojnë edhe ata që flasin në emër të saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: