TIRANE – Ligji i ri për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike i detyron të gjithë ata funksionarë publikë aktualë që brenda dy muajve nga miratimi i një formulari prej Kuvendit të bëjnë vetëdeklarimin e tyre. Nëse ata refuzojnë për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me integritetin, personi do të trajtohet sipas përcaktimeve të nenit 4 të tij. Sipas këtyre përcaktimeve afatet e ndalimit për tu emëruar apo zgjedhur shkojnë deri në 20 vjet nga data e dënimit, në varësi të masës së dënimit. “Gazeta Shqiptare” boton sot me shkurtime ligjin për dekriminalizimin, që hyri në fuqi menjëherë dje pas miratimit nga Kuvendi.

LIGJ PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik, të personave të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve sipas këtij ligji.
Neni 2
Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik.
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në Këshillin Bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga Këshillat Bashkiakë ose të Qarkut, personat të 11 cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale sipas neneve 73, 74, 75, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 86, 87, 88 paragrafi i dytë, 89/a, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141, 143/a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278 pikat 1, 5 dhe 6, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të parashikuar në këtë paragraf, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;
b) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale sipas neneve 110/c, 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç, apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, të Kodit Penal.
c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Ndalimi i parashikuar nga pika 1 e këtij neni zbatohet edhe ndaj personave:
a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5 të nenit 10 dhe pikën 1 të nenit 17.
b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, gërmat “a”, “b” dhe “c” të këtij neni, apo janë dëbuar për arsye të mbrojtjes së sigurisë publike apo shtetërore të shtetit përkatës.
3. Ndalimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale të parashikuar në këtë ligj, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.
4. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara gërmat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.
5. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuar nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.
6. Kuvendi përcakton me vendim brenda afatit te parashikuar nga ky ligj, shtete të tjera vendimet e dënimit joperfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit ndërkombëtar apo masat e dëbimit sipas këtij neni passjellin zbatimin e ndalimeve të këtij ligji.
Neni 3
Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publik
1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike si më poshtë:
a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
c) në postin e prefektit;
ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj:
d) në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative;
dh) në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik;
e) në Policinë e Shtetit;
ë) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
f) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
2. Kohëzgjatja e ndalimit të parashikuar nga ky nen përcaktohet sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.
Neni 4
Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar
1. Për personat që parashikohen në shkronjën “a” të pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.
2. Për personat që parashikohen nga shkronja “b” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
3. Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
4. Për personat që parashikohen nga shkronja “ç” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
5. Për personat që parashikohen në germën “a” të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij. Ky ndalim është i vlefshëm edhe kur masa përkatëse e sigurisë personale është hequr por personi vazhdon të ndiqet penalisht apo të gjykohet për veprën për të cilën është vendosur fillimisht masa e sigurisë personale dhe ende nuk është marrë një vendim gjyqësor në lidhje me fajësinë e personit.
6. Për personat e dëbuar sipas parashikimeve të germës “b” të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, kohëzgjatja e ndalimit për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit është:
i) përjetë për dëbim në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, gërma “a”;
ii) 20 vjet për dëbim në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, gërma “b”;
iii) 10 vjet për dëbim në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, germa “c”, pavarësisht uljes së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme me të që passjell uljen e dënimi;
7. Në rastet e dëbimit me akt administrativ për motive të sigurisë publike apo shtetërore, ndalimi përcaktohet në përputhje me afatin e dëbimit, por në çdo rast jo më pak se 10 vjet.
8. Për personat që parashikohen në pikën 4 të nenit 2, periudha e ndalimit zgjat deri në kryerjen e dënimit përkatës.
9. Ulja e masës së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb