Nga: ASTRIT KOSTURI*
Pasi politika për 25 vite me radhë inkriminoi veten dhe shoqërinë shqiptare në gjithë qelizat e saj, filloi të fl asë për dekriminalizimin e Parlamentit, madje edhe për revolucionin demokratik paqësor, duke harruar se në gjithë këtë hark të mbyllur kohor, që shënon dhe fundin e kësaj politike të kalbur çerekshekullore, mbeti në kufijtë e pazareve dhe interesave të saj!…
Të dëgjuarat dhe të padëgjuarat e kësaj kohe të pistë, vijnë si një prelud i këtij fundi të turpshëm që po shfaq politika shqiptare, me kryefjalë dekriminalizimin dhe refrenin e revolucionit, të artikuluar nga ish-kryeministri Berisha. Këto thirrje të tilla, të lëshuara prej atyre që sollën antirevolucionin dhe regresin shumëplanësh të shoqërisë shqiptare janë dhe tallja më e hapur me popullin, duke shtuar kështu, edhe shpejtësinë e rrokullisjes së vendit drejt greminës!
Në fakt, këto sinjale janë lëshuar prej disa vitesh nga individë e grupe shoqërore, si pjesë të një debati politiko-shoqëror, që shoqëria shqiptare ka nisur për të vënë në diskutim sistemin, krahas debatit shterpë dhe sherreve të politikës e sekteve të saj, për pushtet e pasuri.
Pra, ka vite që ky reagim ka nisur si një frymë refuzimi e kundërshtimi, si pakënaqësi e protestë politike, që vetëm politika 25-vjeçare nuk ka dashur t’a dëgjojë.
Në shënjestër të këtij reagimi të organizuar politik e popullor kanë qenë ndryshimi i këtyre rregullave të “lojës politike”, që vendosën uzurpatorët e pushtetit të popullit, duke e çuar politikën në ngërç të pazgjidhshëm dhe vendin në batak. Bëhet fjalë për principe e rregulla, që kanë synuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, institucionet dhe ndërtimin e partive, për të mos e lënë pastrimin e tyre në dorën e padrejtësisë dhe pisllëkut, me emrin Drejtësi Shqiptare.
Por, politika 25-vjeçare është treguar cinike e mospërfillëse ndaj këtyre zërave që sa vijnë e shtohen përditë, duke menduar se mund ta kalojnë “lumin” popull, me propagandë e shfaqje, me fjalë e marifete të tipit dekriminalizimi të Parlamentit, përmes arrestimit të deputetëve, që deri dje ishin “ylli i karvanit” të tyre.
Pra, ky lloj dekriminimi, i përfolur kaq shumë prej atyre që akuzojnë e shantazhojnë njëri-tjetrin është i pamundur dhe thjeshtë utopi! Në bindjen e ndërgjegjes së shëndoshë intelektuale, dekriminalizimi duhet të fillojë nga presioni politik i organizuar popullor, si një organizim me koncepte dhe ide të qarta, principe e moral ndryshe…!
Sipas këtij koncepti, jemi të ndërgjegjshëm se në radhët e politikës (partive), do të përpiqen të penetrojnë edhe sharlatanë, madje edhe kriminelë, që shpresojnë të përfitojnë e të bëhen të pathyeshëm, por kur principet e rregullat janë të qarta dhe jo favorizuese për të tillët, ata nuk do të gjejnë terrenin e duhur. Këto përpjekje të tyre vijnë si fenomene të pashmangshme në një shoqëri të inkriminuar e të manipuluar rëndë, prandaj duhet organizimi politik e popullor, si një mekanizëm që ofron idealistët, moralin dhe kulturën politike, që shoqëria ka nevojë.
U bënë 25 vjet plot, që jetojmë e përjetojmë kraterin e skandaleve pafund, që riciklohen pambarimisht, siç është dhe skandali i fundit politiko–mafioz (Doshi-Meta-Rama), i cili po “mbyllet” si larje hesapesh, si gjithë skandalet që prishin imazhin e shtetit të “shqiptarëve”, por me hijet dhe gjurmët e tij, si një shërbim i vazhdimësisë së krimit politik e shtetëror, me parandjenjën e skandaleve, që do rihapen rishtas për popullin, që duhet mbajtur me “punë” e llafe!
Kjo është një komedi shumëvjeçare e inskenuar mjeshtërisht prej pushtetit të padronëve të kësaj politike, falë besimit të verbër, të spektatorit popull. Si e tillë, kjo situatë tragjikomike do të sjellë edhe akte të tjera në vazhdim të këtij teatri banal, nëse populli do të qëndrojë akoma spektator.
Ajo që duhet të kuptojmë dhe më pas të reflektojmë prej kësaj situate, është fakti si janë ndërtuar partitë e pushtetit (PSPDLSI&co), që nga themelet e tyre deri te pazaret me “besë a besë”, për interesa pushteti e pasurimi.
Sepse, pikërisht prej këtij ndërtimi dhe këtyre pazaresh, erdhën vit pas viti dhe ditë pas dite, abuzimi e arbitrariteti me pushtetin, pabesia, tradhtia e konflikti, intrigat dhe shantazhet, deri tek urrejtja e tritoli, si ushqim e argëtim për popullin spektator.
Deri tani patëm kuptuar, se ky vend përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave nuk është qeverisur, por vetëm është shkatërruar e grabitur barbarisht, ndërsa tani doli hapur se politikanët tanë të “palodhur” kanë bërë video për njëri–tjetrin si kërcënim e shantazhim, po mes tyre. Së fundmi po flet “Drejtësia” për naivët, sepse ata që janë përballur me të ndër vite, kanë mësuar se vetë ajo, është padrejtësia dhe krimi në këtë vend!
Tashmë, në këtë rrugë të gjatë dhe pa krye, gjendemi të lodhur nga problematikat e shumta, që solli tradhtia e kësaj klase të degjeneruar politike dhe tallja e “miqve” të huaj, që politika “jonë” i quan partnerë ndërkombëtarë. Këta të fundit dhe propaganda e tyre e sheqerosur, na futën gjithë entuziazëm në labirintet e një sistemi të ri e të panjohur politik, me rregulla të reja të drejtimit dhe funksionimit të ekonomisë, në këtë mënyrë të re jetese.
Tani pas plot një çerekshekulli, na kanë mbetur si një ëndërr e keqe shprehjet e zhargonit popullor si, “kur erdhi demokracia…”, “kur hyri demokracia …” apo “kur fitoi demokracia…”, pavarësisht, se edhe sot e kësaj dite zor se shpjegohen në përmbajtje.
Ndër sloganet që na joshën sa na morën dhe mendjen, ishin “fjala e lirë”, “respektimi i lirive dhe i të drejtave themelore”, “iniciativa dhe lëvizja e lirë”, “ekonomia e tregut të lirë”, “standarti ekonomik i vendeve të lira demokratike”, etj., që të gjitha së bashku shpreheshin në klithmën “liri – demokraci”, pavarësisht se shumë prej partizanëve të kësaj “lirie” e “demokracie” nuk e kishin dhe ende nuk e kanë idenë ta kuptojnë, se çfarë janë as “liria” dhe as “demokracia”…! 
Natyrisht, u shfrytëzuan maksimalisht e mjeshtërisht, propaganda dhe skenarët e sprovuar në vende të tjera, gabimet e bëra në të kaluarën dhe gjendja e vështirë ekonomike, që falë edhe bllokadës nga ata që na ftonin në gjirin e tyre të ngrohtë, kishte dhënë efekte në gjithë vendin. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se përmbysja që ndodhi në Shqipëri, pavarësisht nga emërtimet “demokratike” që i vunë dhe i vënë, ishte agresive dhe shkatërruese. Ajo u karakterizua nga asgjësimi e grabitja vandaliste e pronës së përbashkët dhe krejt ekonomisë, nga presioni psikologjik, por edhe fizik që ishte i jashtëzakonshëm. Shtresa të tëra të popullsisë, të lidhura shpirtërisht me sistemin e kaluar, u tulatën në strehën dhe hallet e tyre, nga pushteti i atyre që zotëronin rrugët dhe që gradualisht zunë zyrat e shtetit.
Nuk duhet të harrojmë se e gjithë propaganda zyrtare fliste për shembje këtu e çrrënjosje atje, për përdhosje e shkatërrim simbolesh historike e kombëtare, për hapje dosjesh dhe pastrim figurash.
Tani, pas më shumë se dy dekadash, edhe më naivët, militantë ekstremistë të dikurshëm për përmbysjen, e kanë bërë bilancin e veprës së tyre. Vetë copëzimi i elitës politike të kohës në dhjetëra parti dëshmon më së miri se asnjëra prej tyre nuk ka arritur të realizojë atë që mori përsipër në fillim të viteve ‘90. 
Pas këtij çerekshekulli në “liri-demokraci”, kemi një ekonomi (dikur të fuqishme), të shkatërruar totalisht dhe të grabitur barbarisht. Qindra mijëra tonë makineri moderne, të shitura për skrap nga kusarët në pushtet. Shqipëria, dikur me një industri të kompletuar e shumëdegëshe, nuk ka më asnjë vepër industriale dhe është kthyer në një treg të mallrave të pakontrolluara të metropoleve europiane, përfshirë këtu edhe plehrat dhe lëndët e tyre toksike. Një vend ku shkatërrohen hekurudhat (që natyrisht, s’kanë mision pa ekonominë), pyjet, që shet sektorët rentabël si energjinë, telefoninë, postat, bankat, minierat, portet dhe aeroportet, që nuk u siguron shtetasve ujin e pijshëm dhe ajrin e pastër, ku vriten përditë njerëz të pafajshëm, është vështirësisht i jetueshëm për shtetasit e vet.
Një ushtri moderne dhe e fuqishme dikur, krenaria e kombit, e katandisur në disa reparte që kanë për mision të “sigurojnë paqen” atje ku e kërkojnë interesat e padronëve të huaj. Një armatim e municion modern, që jepte mesazhe sigurie e dinjiteti, që mbronte kufijtë tokësorë, hapësirën detare dhe ajrore, i katandisur gjithashtu në skrap, produkt i trafikut legal dhe ilegal.
Një kulturë e lënë në mëshirë të fatit, letërsi dhe arte të braktisura, sporte elitë dhe masive të katandisura në pikë të hallit, një arsim i degjeneruar totalisht dhe i kthyer në biznes pa moral, një shërbim shëndetësor që mbjell sëmundje dhe korrupsion. Një klasë politike tërësisht e nënshtruar dhe e pangopur, në shërbim të të huajve, e gatshme për të shitur e për të kthyer në kosh plehrash çdo pëllëmbë tokë të vendit, në interes të mbajtjes së pushtetit dhe të pasurimit familjar e klanor. Një qeverisje, që nuk zgjidh dot plagë të tilla si papunësinë, varfërinë, gjakmarrjen, kriminalitetin, drogën, korrupsionin, amoralitetin dhe imoralitetin, pasigurinë, në kuptimin e plotë të fjalës, një qeverisje e tillë pra, le të presë sa të dojë shirita për inaugurime zyrash e dhënie koncesionesh, mbetet një dështim dhe falimentim i madh…!
Dhe më e keqja, një shoqëri në depresion (përjashtuar kabaretë e Tiranës) që, objektivisht ka humbur çdo shpresë, ka kaluar në indiferencë të plotë dhe, ose është vënë qorrazi në shërbim të interesave partiake, ose është mbyllur në strofullën e vet, ose mendon nga mëngjesi në darkë për t’ia mbathur prej këtij vendi.
Këtë moral mbjell sot ky sistem dhe kjo mënyrë jetese, sepse kështu, “secili në punë të vet”, “secili pas pronës së vet të vogël”, “secili në luftë për të siguruar një copë prone të pamerituar”, është klima dhe terreni ku elita politike mund të livadhisë kollaj, mund të grabisë pa telashe, mund të shesë e të blejë çfarëdo e këdo. Sistemi i rendjes pas pronës private dhe interesit të ngushtë personal, në një vend të varfër si ky i yni ka shkatërruar moralin e shoqërisë dhe të individit, deri në atë shkallë saqë vret vëllai vëllanë, i biri të anë, gruaja burrin dhe anasjelltas, e plot mynxyra të tjera, të padëgjuara e përjetuara më parë.
I ndërgjegjshëm se ky sistem pjell krimin e organizuar dhe ordiner, shteti e ka mbushur vendin me burgje, për të cilët Europa kërkon standarde. Vetëm për nivelin ekonomik dhe varfërinë e shqiptarëve, Europa nuk vë kushte dhe nuk kërkon standarde!!…
“Liria” dhe “demokracia” ishin ëndrra të braktisura dhe të destinuara të dështonin njëherë e mirë, pikërisht nga mosnjohja e kuptimit të tyre. Asnjëherë nuk u shpjeguan në këto vite se cilat ishin liritë dhe të drejtat themelore që fituam. Po të pyesësh sot, 99 % e shqiptarëve nuk e dinë se cilat janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, duke u kufizuar në të drejtën e fjalës dhe lirinë e lëvizjes, që në fakt, nuk janë të drejta dhe liri themelore.
Ky sistem dhe ky pushtet, në realitet, duke na dhënë ca të drejta dytësore, sikurse të drejtën e fjalës psh., nuk na garanton në fakt asnjë të drejtë e liri themelore si: të drejtën për të jetuar, të drejtën për të punuar, të drejtën për të pushuar e për t’u qetësuar nga streset dhe skenat e përditshme të krimit politik, të drejtën për t’u mjekuar, arsimuar e strehuar, të drejtën për të qenë të barabartë para ligjit. E megjithatë, secili bën vlerësimin e tij, madje edhe një sërë ambasadorësh të Amerikës kanë deklaruar se “Shqipëria është në buzë të greminës”, ndërsa Berisha, aleatët dhe pushteti i tij, apo dhe ky i premtimeve dhe mashtrimeve të sotme, u bëjnë jehonë sukseseve të mëdha, projekteve të Shqipërisë dixhitale apo të gjeneratës tjetër, model për Europën…! Kurse Europa, me njërën dorë fsheh talljen nën buzë dhe me tjetrën grabit pasuritë e këtij vendi. 
E pra, këto janë shkaqet që sjellin domosdoshmërinë e revolucionit demokratik paqësor, që çuditërisht e thërrasin mëkatarët, ata që i shkaktuan këto vuajtje e dëme të pallogaritshme vendit dhe shqiptarëve. Por, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa “politika shqiptare” është kaq e aftë të ndjejë e parandiejë zemërimin popullor në ardhje, siç ndjejnë minjtë e hambarëve detin e trazuar. Për këtë arsye, politika nxiton të mbysë reagimin e nisur popullor dhe të vjedhë kauzën e një populli, që me vështirësi po del prej ëndërrimeve të një gjumi të thellë. Prandaj do të doja të pyesja, edhe pse nuk ka nevojë për përgjigje: A nuk ju rri ngushtë revolucioni, zotërinj politikanë?!
Më në fund, i madh e i vogël po e kupton se punëdhënësi i vërtetë është populli, ndërsa politikanët të punësuarit e tij. Se, pikërisht për këtë mision historik, popullit i duhet jo vetëm të njohë politikën si shkencë teorike dhe praktike, por edhe jetë aktiv në politikë, që politikanët të zbresin e bien në tokë, për t’u ribërë njerëz e pastaj qytetarë.
Nga sa u tha më sipër, ne nuk ngurrojmë të shprehim publikisht se vendit nuk i duhen institucione si godina teatri, qofshin edhe moderne ato, por zgjidhje politike më parë, siç veprohet kudo në botë, kur shoqëritë e atyre vendeve kuptojnë ngecjen e sistemit.
Një çerekshekulli qe i mjaftueshëm për të mos shpresuar më te fjalët e ofertat e “reja”, që politika nuk kursen, te premtimet e mashtrimet për pushtetin, që ndërrojnë me radhë disa njerëz.
Nuk mund të shpresojmë më, se plagët e kësaj shoqërie do të mbyllen brenda këtij sistemi, që hyjnizon si të shenjtë pronën private, koncesionet dhe privatizimin total të resurseve tona kombëtare. Për ne e shenjtë është vetëm prona e gjithë shoqërisë, ajo që ushqen e kultivon barazinë, kolektivitetin, solidaritetin dhe kohezionin brenda saj. Vlerën e shoqërizimit të pronës e njeh mirë dhe e vlerëson edhe pakica miliardere, madje ajo, duke përzgjedhur me shumë kujdes, duke zbukuruar e rrumbullakosur terminologjinë e propagandën, udhëheq me mjete paqësore apo të dhunshme, procese globale shoqërizimi.
Problemi është se këto procese zhvillohen brenda klasës së saj, pra, parullën e dikurshme: “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” ajo e ka zëvendësuar me sloganin e freskët: “Borgjezë të të gjitha vendeve, bashkohuni!”
Oligarkëve u duhet të bashkohen si klasë, për të mbrojtur e përjetësuar pushtetin e tyre, kurse masat e gjëra punonjëse ushqehen prej saj me parulla kundër kolektivizimit, me fetishizimin e pronës private, të individualizmit, të copëzimit, të iniciativës së lirë, iniciativë kjo që e ka hapin aq sa e lejojnë monopolet dhe që asnjëherë nuk e ka shansin të barazohet me ta.
Pasuria kombëtare ose i do dhënë e do vënë në shërbim të popullit, ose privatëve miliarderë. Në rastin e vendit tonë, të dyja partitë janë në të njëjtën rrugë, ku edhe socializmi i PS-së është një maskë e keqe dhe e neveritshme, pasi në të vërtetë, pasuritë e shqiptarëve ua dhuron pakicës vendase ose të huaj.
Duke i parë fenomenet dhe zhvillimet me këtë sy e këtë vlerësim, nuk do të thotë se ne jemi kundër pronës private dhe pluralizmit në përgjithësi, ashtu siç nuk jemi kundër pjesëmarrjes në procese elektorale. Kujt më shumë se sa të voglit, të shtypurit dhe të nëpërkëmburit do t’i interesonte pluralizmi, barazia para ligjit, barazia dhe konkurrenca e ndershme në biznes apo gara elektorale, e drejta për të folur e për t’u dëgjuar?!
Por, a mund të pretendohet se përjetojmë një sistem pluralist kur të gjitha forcat politike kanë një program dhe operojnë brenda sistemit?! Ku konsiston pluralizmi përderisa të gjitha forcat politike kanë të njëjtat objektiva politike dhe ekonomike standarde dhe që ndeshen me njëra-tjetrën vetëm për t’i mbushur mendjen elektoratit se cila është më e ndershme dhe më e përkushtuar për popullin.
Pluralizmi në asnjë mënyrë nuk mund të kuptohet e pranohet si konkurrencë vlerash apo sfilatash individuale apo ekipore. Prandaj ne mendojmë se pluralizmi, aq shumë i trumbetuar si një fitore e madhe e “demokracisë”, është një farsë, është një mashtrim i madh, është një cinizëm dhe pafytyrësi e madhe e borgjezisë dhe sistemit të ngritur prej saj. Asnjë forcë politike që, sipas kornizave të pluralizmit, do të konkurronte me parime e program ndryshe nga ai i sistemit aktual, nuk do të mund të ishte e barabartë në garë. Ajo do të luftohej me metoda “demokratike” për t’u asgjësuar që në embrion, siç ka ndodhur e ndodh kudo.
Të fortët, që së fundmi po vetdeklarohen dhe të inkriminuar, miratojnë e zbatojnë ligje që u shërbejnë atyre dhe jo të vegjëlve, pavarësisht se nga idetë që përcjellin janë edhe më të fuqishëm. Ndërsa ne, nga ana jonë, nuk kemi hyrë në politikë për t’i shërbyer njërës forcë politike kundër tjetrës.
Të dyja na luftojnë njëlloj dhe dëshirojnë po njëlloj të na asgjësojnë politikisht dhe organizativisht. Megjithatë, besojmë se e reja, progresivja, lind e vogël dhe do rritet e kalitet mes vështirësive e pengesave që i krijon e vjetra. Kështu i shohim gjërat në planin strategjik.
LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve) do të vazhdojë edhe në të ardhmen të ketë qëndrimet dhe pozicionet e saj për çështjet e rëndësishme të vendit, pa shpërfillur hallet dhe problemet e “vogla” të njerëzve të thjeshtë.
Mbështetur në këto qëndrime dhe në programin politik, ajo pret mbështetjen popullore, pret edhe mbushjen e radhëve të saj me aktivistë të moralshëm dhe idealistë. Historia dëshmon se jo vetëm qeveri e pushtete, por janë shembur edhe të gjitha perandoritë, që dukeshin të pavdekshme në shekuj, kur popujt ngrihen dhe marrin në dorën e vetë fatin e tyre. Dhe ne do të punojmë të ndërgjegjësojmë popullin për forcën e vet dhe për faktin se të gjitha të drejtat e pasuritë i takojnë atij.
Në këtë gjendje amullie, ku partitë kryesore nuk janë në gjendje t’i paraqiten elektoratit me programe e qëndrime të mirëpërcaktuara për çdo aspekt në statuset e tyre, uzurpimin dhe manipulimin e vullnetit popullor, ato e kryejnë nëpërmjet ligjeve elektorale të krijuara nga vetë ato për të zaptuar panoramën politike të vendit. Mungesa e programeve dhe e vizioneve për të ardhmen në programet e partive ka bërë që lufta politike ndërmjet këtyre forcave të shndërrohet në luftë personash, se nëse do fitonte tjetri, gjithçka do ndryshonte si me magji.
Ajo ç’ka duhet nënvizuar në fund të këtij opinioni është se, politika shqiptare e ka mbushur kupën, prandaj mbetet të frymëzohet reagimi politik e popullor jashtë formacioneve (PSPDLSI&co)!
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: