Nga VALENTINA MADANI*

Pozita dhe opozita duke se po shkojnë drejt një qëndrimi të përbashkët për çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit. Deputeti i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, njëherësh kryetar i LZHK-së shprehet skeptik ndaj dekriminalizimit të parlamentit përmes një ligji që duhet hartuar nga vetë deputetët. Shehi gjykon se duhet një reformë elektorale, pasi sistemi aktual është i korruptuar në princip. “Do ishte mirë të kishim bërë një reformë elektorale që do kthente besimin në Parlament. Ky sistem elektoral është i kalbur që në themel”, – u shpreh dje Shehi në një prononcim për “ABC News”.

Përpjekja e politikës për të pastruar veten nuk e bind Dashamir Shehin. Kreu i LZHK-së nuk e shikon me optimizëm dekriminalizimin e parlamentit përmes një projektligji të hartuar nga vetë deputetët. Problemin e sheh më thellë, te sistemi elektoral, që për të është i korruptuar në princip. As reformat e qeverisë “Rama” nuk e bindin. Sipas tij, mazhoranca e majtë po shpërdoron një mundësi të mirë, duke mos u marrë me reformat e mëdha. Ai ka vlerësuar pozitivisht punën e qeverisë në Lazarat dhe shlyerjen e një pjese të borxheve, por sipas tij, problemi më i madh i ekzekutivit mbetet rritja e dobët ekonomike. Shkaqet nuk janë të lidhura vetëm me ekonomitë e rajonit.

“Problemi kryesor mbetet grykësia e qeverisë me taksat dhe mungesa e një klime të favorshme ndaj biznesit. Ndryshimet e shumëpërfolura të ndonjë ministri nuk mendoj se e zgjidhin situatën. Krimi ka hundë më të hollë se shteti dhe e kupton kur ky dobësohet”, – deklaroi Shehi. Stimulimi i profesionistëve në polici është rruga që këshillon, pasi për të mbajtur rendin nuk mjafton shtimi i kapeleve. Po dje edhe deputeti socialist Ulsi Manja, anëtar i Komisionit të posaçëm kuvendo për dekriminalizimin shprehu qëndrimin se pastrimi i legjislativit nga deputetët me rekorde kriminale mund të ishte shmangur përmes nismave ligjore. Sipas tij, kjo mund të arrihej me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Shqipëria në këtë rast mund të marrë shembullin e mirë të Kosovës.

“Mjafton të jetë në pajtim me Kushtetutën, sepse Kushtetuta jonë ka sanksionuar një parim shumë të rëndësishëm, në mos gaboj në nenin 30 të saj, që është parimi i prezumimit të pafajësisë. Pra, kushdo është i pafajshëm përsa kohë nuk është deklaruar fajtor me një vendim të formës së prerë të gjykatës. Ndërhyrje mund të bëhen në Kodin Zgjedhor, s’ka pse të mos i bëjmë pjesë të ligjit tonë zgjedhor edhe disa barriera që ka shteti më i ri i Europës, që është Kosova. Kosova ndalon kandidimin e një personi që është shpallur fajtor për një vepër penale në 3 vitet e fundit dhe këtu e kam fjalën për krim, jo për kundravajtje, që është deklaruar me vendim të formës së prerë fajtor në 3 vitet e fundit e pengon nga kandidimi, gjë që ne nuk e kemi”, – deklaroi për “Ora News” deputeti socialist Ulsi Manja.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb