TIRANE- Deputeti i PS-së, Musa Ulqini në një deklaratë për mediat tha se tani që ligi i dekriminalizimit po jep eferet e veta u vërtetua se në grupin e PS-së nuk ka as edhe nje kriminel.

“Ligji për dekriminalizimin u miratua nga mazhoranca sipas kërkesave të opozitës, edhe pse në kufijtë e prekjes së Kushtetutës, edhe pse më i ashpri në llojin e tij në të gjithë Europën. Partia Socialiste dhe mazhoranca e miratuan ligjin për dekriminalizimin të bindur se kjo ishte rruga e vetme ligjore, por edhe politike e morale, për të provuar përpara opinionit publik se sa e pavërtetë ishte akuza e lidershipit të PD, se në grupin parlamentar të Partisë Socialiste kishte as më pak e as më shumë, por plot 19 kriminelë. Sot që ligji i ka dhënë plotësisht efektet e veta, shqiptarët kanë rastin të binden se në Grupin Parlamentar të PS nuk ka jo 19, por as edhe një kriminel”,- deklaroi ai

“Për këtë arsye sot PS dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin”,- shtoi deputeti.

Ulqini nënvizoi më tej se: “Partia Demokratike në vend që të kërkojë ndjesë për përbaltjen më të madhe që u është bërë përfaqësuesve të popullit në historinë e parlamentarizmit shqiptar, hesht për deputetët e saj dhe baltos këdo që kërkon informacion apo shpjegime për implikimin e këtyre deputetëve nga ligji për dekriminalizimin. Së fundmi dua ti kujtoj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se misioni i opozitës është të thotë të vërtetën dhe jo të ndërtojë kauza të gënjeshtërta, se në pushtet nuk vihet duke përbaltur kundërshtarët, por duke ndërtuar alternativa qeverisëse për shqiptarët”.

PD: MOS U RRESHTO NË RADHËT E BANDITËVE TË RAMËS
Pas deklaratës së Musa Ulqinit ka reaguar Partia Demokratike, e cila thekson se “qytetarët presin që Musai të mos pajtohet me krimin që ka zënë çdo pore të partisë”.

“Shumë qytetarë dhe socialistë, tjetër gjë presin nga Musa Ulqini. Presin që Musai të mos pajtohet me krimin që ka zënë çdo pore të partisë. Ndoshta ai nuk e ka kurajon të kërkojë llogari pse partia ku është themelues, është nga pionierët e parë, u mbush nga shefi i rilindjes me banditë, trafikantë, tutorë e vrasës, por të paktën Musai duhet ta ketë kurajon të mos rreshtohet në radhët e atyre që bëjnë gargare me jargët e Edi Ramës. Nëse del të mbrosh Bushin, Roshin, Frrokun, Bardhin, Prengën, Ndokën, dhe krimet e tyre, e vihesh në një listë me Fred Koburen, me Elisën e traut të ngritur e me nusen e partisë, duhet të ndërrosh patjetër emrin, se s’mund të quhesh më Musa Ulqini. Të sugjerojmë ta bësh Edvin fillimisht, më pas Elvis, ose Ervin.  Ndryshe, do të shkaktosh zemërim jo vetëm tek banorët e Dumresë të cilëve nuk u del dot më përpara se u premtove 6 mijë lekë për një kilë duhan, e ata nuk po shesin asnjë gram, po do gjesh belanë me çdo qytetar e socialist në mbarë vendin, që nuk do krimin e nuk do të sundohet nga trafikante, tutorë e vrasës.”- thuhet ne reagimin e Partisë Demokratike.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: