Gjyqtarja e Elbasanit Znj.Enkeleda Kapedani, do të dalë sot për herë të dytë në seancë publike në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Seanca është përcaktuar në orën 10:00, teksa trupi gjykues përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi.
Kjo është hera e dytë që gjyqtarja Kapedani, e cila u bë e famshme nga videot në Tik Tok del në KPK pasi në nëntor të vitit të kaluar u pezullua dhënia e vendimit pas daljes së disa të dhënave të tjera nga hetimi.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të riçelë hetimin për gjyqtaren Enkeleda Kapedani, për hetimin dhe verifikimin e disa rrethanave të reja.
Kapedani, pushtoi rrjetet sociale, pas publikimit të disa videove që ajo hidhte në Tik Tok.
Në janar të këtij viti Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka pranuar kërkesën e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, për arritjen e një marrëveshjeje, ku pranonte shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë. Gjyqtarja Kapedani është dakordësuar me ILD për masën e pezullimit për gjashtë muaj, ku do të marrë një pagë minimale.