Është prezantuar një projekt dizajn për restaurimin, rindërtimin dhe muzealizimin e Muzeut Historik Kombëtar, një draft i parë, në kuadër të programit “Eu for Culture” financuar nga Bashkimi Europian. Arkitekti Jesus Hernandez shpjegoi ndërhyrjet kryesore në ambjentet e brendshme e të jashtme.

Projekt dizajni realizohet në kuadër të Programit “Eu for Culture” të financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Arkitekti Jesus Henrandez, tha për “News 24” se cilat do të jenë ndërhyrjet kryesore.

“Ndërhyrja kryesore është një riorganizim tërësor i hapësirave. E gjithë hapësira e brendshme do të mund të fragmentarizohet në hapësira të ndryshme ekspozimi, do të mund të ketë disa ekspozita të përkohshme, do mund të ketë ekspozita të përhershme që kanë të bëjnë me etnografinë, letërsinë shqiptare e arkeologjinë. Do ketë ekspozita të përkohshme dhe hapësira edukimi që i shpejgojnë historinë të rinjve. Do ketë ekspozita me projeksion, hapësira familjare e diversitet me synim audienca të ndryshme. Gjithashtu duam që muzeu të ketë zonë restaurimi në katin nëntokësor, librari dhe vizitë në arkivin e nëndheshëm. Struktura do jetë kjo, por shumë më fleksible”, tha Henrandez.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti foli për nevojën për rikonceptim të muzeut dhe nevojën për konsolidim të strukturës, ndërsa vuri trheksin te zhvillimi përmes kulturës dhe rrënjëve tona.

Projekti dizajni shkon një vit, ndërsa puna e rindërtimit mund të shkojë dy vite. Nuk ka shtim hapësirash as godina të reja, por propozohet vetëm rikonceptim i atyre ekzistuese, duke shtuar hapësira pushimi, dhe ekspozita të jashtme te atriumi. Programi “Eu for Culture” është një nismë që erdhi pas tërmetit të nëntorit 2019, me një buxhet tërësor prej 40 mln eurosh që do të shkojnë për rivitalizimin e zonave të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: