TIRANE-Qeveria miratoi dje vendimin për mënyrën se si do të shkurtohet personeli i bashkive dhe komunave, që do t’u bashkohen bashkive të reja. Brenda pesë muajsh nga konstituimi i këshillave bashkiakë dhe nisjes nga puna të kryetarit të ri të Bashkisë, personeli i tepërt do të largohet nga puna. “Panorama” shkruan se në mënyrë automatike largimet do të bëhen fillimisht për ata punonjës të bashkive dhe komunave të sotme që do t’u bashkohen bashkive të reja, të cilët nuk kanë statusin e nëpunësit civil dhe janë me kontratë.

“Marrëdhëniet e punës ekzistuese, ndërmjet NJSH-ve dhe punonjësve të tyre, do të transferohen në bashki, në momentin e konstituimit të organeve të saj. Nga momenti i konstituimit deri në miratimin e strukturës administrative përfundimtare, bashkia është në proces ristrukturimi dhe operon me strukturë tranzitore, e cila miratohet nga kryetari i saj, brenda 1 muaji nga marrja e mandatit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Për ata punonjës që janë aktualisht me kontratë dhe që u shkurtohet pozicioni i punës, ata do të largohen. “Për punonjësit me kontratë, që nuk janë nëpunës civilë, marrëdhënia e punës transferohet automatikisht.

Nëse gjatë procesit të ristrukturimit punonjësve u shkurtohet vendi i punës apo, për shkak të kualifikimeve dhe kushteve të punës, nuk mund të përshtaten në strukturën provizore apo strukturën e re të bashkisë, atëherë atyre u ndërpritet marrëdhënia e punës, duke respektuar afatet dhe procedurat e njoftimit, sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, ‘Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë’, të ndryshuar”, thuhet në vendimin e qeverisë. Vendimi i djeshëm i hap rrugë funksionimit të bashkive të reja që krijohen nga ndarja e re territoriale, ku disa bashki dhe komuna i bashkëngjiten bashkisë së re. Punonjësit që kanë statusin e nëpunësit civil janë më të mbrojtur nga shkurtimi. Por ka një kategori që ndihet e rrezikuar nga ky vendim.

“Për punonjësit që mbulojnë pozicione të shërbimit civil, por njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore nuk është shprehur në lidhje me statusin e tyre të punësimit, sipas ligjit nr.152/2013, ‘Për nëpunësin civil’, të ndryshuar, njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore e bashkisë merr funksionet e organit përgjegjës dhe shprehet në lidhje me statusin e tyre të punësimit. Brenda pesë muajsh nga data e konstituimit të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive, bashkia duhet të ketë kryer procedurat”, thuhet në vendimin e qeverisë.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: