Ambasadori amerikan në largim nga Kosova Greg Delawie bëri komentet e tij për ish-presidentin jugosllav Slobodan Millosheviç.

Javë më parë në vizitën e tij në Kosovë, Vuçiç tha se “Millosheviç ishte një lider i mirë por me rezultate të këqija”. Ndërkohë, Delawie tha se Millosheviç solli mjerim dhe vdekje në Ballkan.

“Mendoj se të gjithë e dimë se Millosheviqi nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç mjerim dhe vdekje për Kosovën, si dhe për tërë rajonin e Ballkanit. Mendoj se është me rëndësi të kuptojmë se nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por vetëm të ardhmen. Dhe Kosova, si Serbia, duhet të përqendrohet në të ardhmen dhe të shohë se si të ecë përpara me përmirësimin e marrëdhënieve që të dy vendeve iu duhet: normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk do të komentoj se çka bëri Vuçiçi. Ai është udhëheqës i huaj. Nuk flas për udhëheqësit e huaj. E dini, shqetësimi im është që Kosova të shfaqë fytyrën e saj më të mirë para botës. Do të kisha qenë më i lumtur po të kisha parë shenja, thirrje, gjëra të tilla. Jo bllokadë të rrugëve. Por, e dini, mendoj se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të gjejnë mënyrën për të ecur përpara. Dhe kjo nuk do të jetë e lehtë; do të ketë pengesa në rrugë, absolutisht. Por, është në interesin e të dy vendeve që të gjejnë mënyrë për të ecur përpara”, tha Delawie në një intervistë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb