Delegacioni i BE në Tiranë kërkon shtyrjen e zgjedhjes së kreut të AMA për në shtator. Sipas BE, AMA duhet të punojë në mënyrë të paanshme, transparente dhe është me rëndësi mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake.

Votimi për kreun e AMA nga Kuvendi është planifikuar për sot, teksa ambasada e BE shprehet në ftesën e saj se autoritetet duhet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht.

“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.
Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, deklaron delegacioni i BE.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb