Delegacioni i Kosovës ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë orës 17:00, në prani të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Kryeministri Avdullah Hoti gjatë nisjes ka thënë shkurt “vetëm marrëveshje të mira nga Shtëpia e Bardhë”. Ndërkohë në takim nuk ka flamuj as të Kosovës dhe as Serbisë.

Edhe nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë kanë paralajmëruar se pritet nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Në kanalin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në YouTube, po pritet që të transmetohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ishte paralajmëruar se në ora 17:00 (sipas orës tonë) do fillonte takimi në Shtëpinë e Bardhë por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi sipas analistit, Imer Mushkolaj, ka thënë se delegacioni kosovar po vonohet për t’u nisur në Shtëpi të Bardhë, për shkak se marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet aty po kundërshtohet nga pjesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Vonohet nisja e delegacionit kosovar drejt Shtëpisë së Bardhë. Pjesa e AAK-së kundërshton marrëveshjen dhe nuk pranon të shkojë”, shkruan Mushkolaj në Facebook.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Avdullah Hoti, që të mos nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, pasi sipas tij, aty përfshihet edhe Liqeni i Ujmanit.

Ndërkaq kreu i AAK-së ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook.
“Unë nuk do të pranoj që Kosova të nënshkruaj marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës. Kosova duhet të marrë obligime dhe të drejta vetëm me ShBA, ku vetëm ShBA-të janë garantuese të sovranitetit dhe zhvillimit tonë. Ujmani është i yni dhe pranojmë bashkëpunim vetëm me ShBA-të për zhvillimin e energjisë dhe ujrave”, ka shkruar Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb