Një delegacion nga krahina e Marche-s, që njihet si një ndër krahinat më të pasura në Itali, ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri, me qëllimin për të kombinuar përvojat dhe profesionalizimin italian në shumë fusha, për ta ndihmuar vendin tonë në rrugën evropiane, duke përthithur fondet e BE.

MEMORANDUM MES DURRËSIT DHE VILLEFOGLIA-s
Delegacioni italian nënshkroi një memorandum të parë bashkëpunimi për shtim të marrëdhënieve ekonomike, sociale e kulturore mes qyteteve të Durrësit dhe Villefoglia-s, një qytet midis Pesaro dhe Urbino-s ky, që bën pjesë në provincat më të bukura të Italisë, por edhe me industri të zhvilluar.

“Jemi këtu për të ofruar bashkëpunimin tonë në fushën e përpunimit të drurit, qelqit, mekanikës, në agrikulturë etj”, u shpreh kryetari i bashkisë së Villefoglia-s, senatori Palmiro Ucchielli, i cili ftoi kryebashkiaken e Durrësit, Valbona Sako për një vizitë në Villefoglia, për të njohur nga afër edhe komunitetin shqiptar prej 350 vetësh që punon e jeton në atë qytet apo kanë krijuar ndërmarrjet e tyre.

Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbon Sako, pasi falenderoi qeverinë italiane për qëndrimin e saj për çeljen e negociatave për Shqipërinë në BE, e pasi theksoi se sa të lidhur janë shpirtërisht shqiptarët me Italinë, u shpreh se “kemi nevojë për një bashkëpunim të tillë, shumë shpejt do të shohim konkretisht se cilat do të jenë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët”.

BANESA SOCIALE PREJ DRURI
Në Entin Kombëtar të Banesave ku ka qenë takimi i parë, drejtori shqiptar i këtij Enti, Stefan Çipa shprehu nevojën që ka Shqipëria për përvojën e madhe që një vend si Italia ka me banesat popullore. Kryetari i bashkisë së Villefoglia, Ucchielli, u shpreh se “në qytetin që unë drejtoj, shumë shtëpi që kushtojnë lirë, i blejmë dhe i kthejmë në shtëpi komune”. Më tej ai shtoi se “gjithmonë e më shumë po përdorim drurin për ndërtimin e shtëpive, shkollave, kopshteve për fëmijë”.

ZHVILLIM POSTËS SHQIPTARE NË SHËRBIMIN NDAJ BIZNESIT
Një tjetër takim ishte tek Drejtoria e Postës Shqiptare, ku drejtori i saj, Laert Duraj shprehu nevojën e bashkëpunimit sidomos në shërbimin postar ndaj bizneseve, fushë në të cilën Italia ka shumë përvojë. “Deri tani kemi shërbim në shtëpi në 50% të familjeve shqiptare. Duam që këtë shifër ta bëjmë 50%”, shtoi Duraj. Nga ana e tyre, përfaqësuesit italianë ofruan edhe përvojën e tyre në fushën e brendit, markave, materialeve të trendit më të fundit.

QENDRA TË KULTURËS SHQIPTARE NË KËSHTJELLAT E PAPA KLEMENTIT XI
Një tjetër qëllim i këtij bashkëpunimi është edhe ngritja e qendrave kulturore shqiptare në zonën e Urbinos, në kështjellat e familjes Albani, pasardhëse e Papa Klementit XI, papës me origjinë shqiptare, i cili vdiq më 19 mars 1721, pasi e udhëhoqëi Kishën Katolike për 21 vite rresht. “Jam shumë i interesuar për një ide të tillë. Ne sapo kemi miratuar ngritjen e nje qendre kulturore në Shqipëri për arbëreshët dhe ngritja e një qendre të tillë në Itali është në harmoni me këtë, pasi Papa Albania i përket këtij brezi, të arbëreshëve. Ne jemi gati”, u shpreh Pandeli Majko, ministër i Diasporës gjatë takimit që pati me delegacionin italian nga Marche. Ndërkohë senatori Palmiro Ucchelli u shpreh se “me shumë kënaqësi do nisim bashkëpunimin rreth këtij projekti”.

Ndërkohë senatori Palmiro Ucchelli u shpreh se “me shumë kënaqësi do nisim bashkëpunimin rreth këtij projekti”, që u ideua nga ish-konsulli shqiptar në Itali, Edmond Kumaraku, i cili vazhdon të përfaqësojë komunitetin shqiptar në Itali dhe promovimit vlerave tona historike dhe kulturore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb