TIRANE

Përfaqësuesja e muxhahedinëve në Shqipëri, Maryam Rajavi u takua me një delegacion të lartë nga Parlamenti Europian, në Tiranë, për të diskutuar rreth situatës së anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit, MEK në Shqipëri, si dhe rreth zhvillimeve më të fundit në Iran.

Delegacioni i Parlamentit Europian përbëhej nga Tunne Kelam, anëtar i komitetit të punëve të jashtme dhe nënkryetar i intergrupit Miqtë e një Irani të Lirë në PE, Jaromír Štětina, nënkryetar i nënkomitetit të sigurisë dhe mbrojtjes në PE dhe anëtar i komitetit të punëve të jashtme, si dhe Struan Stevenson, koordinuesi i fushatës për ndryshimin në Iran, ish anëtar i PE dhe kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Irakun (2009-2014).

Delegacioni i PE, duke përmendur deklaratën e përbashkët të 150 Anëtarëve të Parlamentit Europian, e cila dënon abuzimet e regjimit iranian me të drejtat njerëzore brenda vendit dhe komplotet e tij terroriste në Europë, shprehu mbështejten e tij për MEK.

Nënshkruesit e deklaratës janë nga gjashtë grupet e mëdha politike në Parlamentin Europian dhe përfaqësojnë 27 Shtete Anëtare të BE. Ata përfshijnë 4 Zëvendës-Presidentë të Parlamentit Europian dhe 14 Kryetarë Komitetesh e Delegacionesh.

Nënshkruesit kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e përkeqësuar të të drejtave njerëzore dhe për shtypjen e grave në Iran. Parlamentarët sollën në vëmendje se Irani “e ka mbajtur numrin më të lartë të ekzekutimeve për kapita në botë gjatë presidencës së të ashtu-quajturit ‘të moderuar’ Hassan Rouhani.”

Maryam Rajavi falenderoi anëtarët e parlamentit europian për pozicionin e tyre deciziv përballë regjimit iranian, dhe për mbështetjen që shfaqin ndaj rezistencës iraniane.

Maryam Rajavi theksoi nevojën për të vendosur sanksione gjithëpërfshirëse mbi sektorin bankar të regjimit iranian dhe mbi atë të naftës, për të përjashtuar IRGC-në dhe militantët e lidhur me të nga Siria, Iraku e vende të tjera të rajonit, për të ndërmarrë hapa urgjentë për ta ndëshkuar regjimin për ekzekutimet e shumta politike, sidomos për masakrën e 30,000 të burgosurve politikë në vitin 1988, duke krijuar një komision kërkimor për ta hetuar këtë krim të madh kundër njerëzimit me qëllimin që fajtorët të vihen përpara drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb