Filmi shqiptar “Delegacioni” jepet premierë botërore në “Warsaw Film Festival”. Projekti kinematografik që nisi nga Artan Minarolli me skenar shkruar prej tij u përfundua nga regjisori Bujar Alimani.

Festivali që ka nisur në Poloni do të mbahet deri më datë 21 tetor dhe është një nga më të rëndësishmit për filmin. Festivali këtë vit zhvillon edicionin e 34 dhe sjell në konkurrim dhe filma të tjerë të huaj, shkruan Atsh.

Aktorë në role janë Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa për të vijuar me Xhevdet Ferin, Kasem Hoxha. Në role janë dhe Rovena Lule, Bislim Muçaj, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Todi Llupi, Lulzim Zeqja, Mirela Naska, etj.

Me një kastë aktorësh të njohur të kinemasë shqiptare, filmi “Delegacioni” nis ngjarjet në tetor të 1990. Disa të burgosur politikë ndjekin me interes në televizion mbërritjen e një delegacioni evropian për të parë nga afër reformat demokratike, që ka marrë qeveria e Tiranës, si kusht kryesor për t’u futur Shqipëria në KSBE (sot OSBE).

Kryesues është zoti Loherin, që i vetmi njeri i besuar për të është miku i shkollës në Pragë, Leo, i gjendur brenda burgut në Shqipëri. Rreth kësaj zhvillohet “Delegacioni”. Leon që regjimi e kishte burgosur, e nxjerr nga burgu për të pohuar ato vite se Shqipëria është një vend i reformave demokratike dhe për të takuar kreun e delegacionit që do të vinte. Ndërkohë që Leo e kupton se çfarë do të ndodhte dhe kërkon të vrasë veten, por këtë e bën gardiani i burgut.

Xhirimet janë zhvilluar në Qafë Mollë, Përmet, Ersekë, Skrapar dhe në Tiranë. Përveçse fitues nga grandi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ky film u shpall më parë dhe fitues i një grandi nga “Europa Krijuese”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb