Skuadra e Kukësit pritet të dënohet rëndë nga EFA për incidentin e shkaktuar në ndeshjen ndaj Legia Varshavës në kuadër të Europa Leagues. Ndeshja e ndërprerë në stadiumin “Qemal Stafa” mes Kukësit dhe Legia Warszawas mund të peshojë shumë për skuadrën shqiptare.

Në një intervistë dhënë për mediat vendase, delegati polak i UEFA-s, Kazimierz Oleszek bën një analizë të asaj që ndodhi në Tiranë dhe jep variantet e tij për masat disiplinore që mund të merren ndaj Kukësit.

“Fillimisht mendoj se Kukësi do të gjobitet me një shumë të madhe, nuk do të luajë në fushën e saj për disa takime, tifozët e kësaj skuadre mund të mos udhëtojnë në transfertat e radhës por mund të përjashtohet edhe nga Kupat Europiane. Gjithsesi, opsioni i fundit më duket më pak i mundshmi”, nënvizon Oleszek.

Sipas Oleszek edhe Legia rrezikon të dënohet pasi ishin tifozët e skuadrës polake që nxitën dhunën në pushimin mes dy pjesëve, transmeton s.sport.

Në vijim, delegati i UEFA-s shton se situata ishte e tensionuar që në minutat e para kur tifozët e Kukësit publikuan një banderolë ofenduese, por me përshkallëzimin e dhunës, situata u bë e pakontrollueshme. Në vijim të intervistës, Oleszek qartëson se vendimin për ndërprerjen e ndeshjes e ka marrë delegati i UEFA-s pas konsultimit me gjyqtarin kryesor.

“Në këtë situatë merren në konsideratë edhe opinionet e trajnerëve e kapitenëve të të dyja skuadrave. Në rast se ka dyshime që mbarëvajtja e ndeshjes nuk mund të garantohet, atëherë delegati vendos ndërprerjen”, shton zyrtari polak i UEFA-s. Sipas Oleszek, numri i forcave të sigurisë në stadium nuk ishte i mjaftueshëm dhe në këtë aspekt, gjithë përgjegjësia bie mbi skuadrën pritëse.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: