Aventurën në sport e ka nisur si atlet i garave të shpejtësisë, pasi mësuesja e fizkulturës, Sofie Lishi, nuhati te ai, se do të bëhej një vrapues-sprintier i talentuar në 60 e 100m. Por, karriera e Dali Farukut, do të ndryshonte kur traineri Punavia, do të aktivizonte si portier, ndërsa legjendari Zyber Xhetani, do ta transformonte në mesfushor-goleador. Një futbollist i spikatur, shumë shpejt ai do të bëhej lojtari protagonist, jo vetëm i “31 Korrikut”, por për të gjithë historinë sportive të rrethit të Matit. Nga golat spektakolarë, transferimi “chock” në Lushnje me aprovimin e Themie Thomait, tek fama e “Dinastisë” Faruku, të tre bashkë në një ndeshje në “Qemal Stafa. Raportet me Jasharin, kontributi i Hysen Shahut, simpatitë e Boriçit, Rrelit dhe biografia që e pengonte për në kombëtare. Çfarë bën sot në kryeqytetin shqiptar, ku jeton prej vitesh “ish-idhulli”, legjenda matjane e viteve ‘80-të, të cilin deri vonë, tifozët e Burrelit e thërrisnin “Delhaj”, duke e krahasuar me futbollistin e famshëm gjermano-perëndimor të viteve ’80-të?

Në Spartakiadë, si portier…!

Ka patur një fëmijëri shumë të vështirë, në një familje të madhe, ku Daliu është i dyti i tetë fëmijëve, të gjithë djem, ndër të cilën vetëm i ati dhe nëna ishin në marrëdhënie pune. Luan si portier me klasat sportive të shkollës “Pjetër Budi”, kur në Spartakiadën e pionierëve që zhvillohet në Lezhë, Punavia trajneri i parë i tij, ka të dëmtuar një futbollist dhe e aktivizon Daliun, si mesfushor të majtë.

Pastaj dy vite me Zyber Xhetanin tek të rinjtë, madje kujton që ka luajtur me fanellën e Ajaksit, pasi në Burrel, në një ndeshje kampionati, skuadra del në fushë me bluzën e ngjashme, duke imituar atë të klubit holandez, por vetëm në atë takim, pasi në përfundim ato u mblodhën dhe u zhdukën pa lënë gjurmë, pasi dikush nga “lart” kishte dhënë urdhër që të mos përdoreshin më.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Jemi në sezonin 1975-‘77, dhe Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon aktivizimin e detyruar të dy lojtarëve nën 18-vjeç me ekipin e parë, dhe Fadil Hysa e merr në skuadrën e parë të “31 Korrikut”, duke e aktivizuar si organizator në krah të veteranëve Hysen Kuka, Q. Kola, Dh. Tango, L. Ballabani, L. Doda, etj. Klubi i ka siguruar gjithashtu edhe një trajtim ushqimor me 100 lekë, bashkë me drekë e darkë, në restorantin qytetit, te “Tarzani”.

Me Jasharin e para dhe e fundit, debutim spektakolar

Shpërthimi surprizë, që do të hapë një faqe e re të historisë së klubit, qytetit, do të vijë pas pak vitesh. Edicioni 1980, skuadra ka siguruar kryesimin në grup, (kategoria e dytë) bashkë me të edhe ngjitjen në Kategorinë e Parë, apo siç quhet sot, Superiorja. Shumë shpejt nga fusha me terren të kuq, (pluhur qymyri), ndërtohet stadiumi që shoqërohet me miqësoren në përurimin e tij: “31 Korriku” – “Partizani” dhe pas saj ajo zyrtare, e para në kampionat: “31 Korriku” – “Besa” 2-0, me dy gola spektakolarë të Farukut.

Kjo sfidë ka një detaj në lidhje me marrëdhëniet e tij me Robert Jasharin, trajnerin mit, legjendë, të papërsëritshëm me të cilin është shkruar një pjesë e rëndësishme e klubit burrelas. Ardhja e Jasharit e gjen kapiten (që në atë kohë merrnin një pagesë 100 lekë më shumë), ditën e enjte në seancën stërvitore, Faruku ka humbur një gol, që e ka revoltuar teknikun, i cili e ndëshkon, duke e nxjerrë nga stërvitja. Në ditët që vijuan, Faruku nuk u paraqitet në grumbullim, por të dielën pak orë para takimit me “Besën”, e thërresin në Komitetin e Partisë, ku ka debat por me shumë zgjuarsi, sekretari i parë, Hysen Shahu, e mbyll atë.

Para ndeshjes, ndërsa trajneri ka deklaruar formacionin, Faruku është lënë jashtë dhe në nxehje skuadra del pa kapitenin dhe në dhomat e zhveshjes midis tyre ka sërish debat. Por, gjithçka do të ndryshojë kur vetëm pak çaste para fillimit, Jashari urdhëron që ai të jetë në formacion. “Ishin forma, mënyra që ai aplikonte e që shërbenin për të ngacmuar, rritur egon e një futbollisti”- kujton Dali Faruku.

Atë ndeshje ai realizon një gol, e në përfundim të saj, Jashari i afrohet, e përqafon duke i thënë: “Sa të jem unë trajner, nuk kam punë më me ty. Nuk ke nevojë për taktikë, ti di ku e ke vendin, të dua gjithmonë brenda në zonë”-i thotë ai publikisht në prezencë të ekipit dhe mjaft sportdashësve. Ja njihte aftësitë, tipin e lojtarit dhe mjeshtri i stolit nuk gabonte lehtë. Sidomos kur ndeshjet ishin të rëndësishme e deçizive e kur pritej e kërkohej detyrimisht fitorja para publikut e tifozerisë.

Golat, i paharruar ai në “Qemal Stafa”

Faruku ka shënuar rreth 200 gola gola gjatë karrierës së tij, në miqësore e ndeshje zyrtare, madje në sezonin 1983-’84, renditet në listën e goleadorëve me 14 gola. Por, ai më fantastiku i karrierës së tij, është në sezonin 1984-‘85, në “Qemal Stafa”, ditë kongresi partie, ku në fushë për kampionat, luajnë “Partizani” – “31 Korriku”.

Minuta e fundit, rezultati 2-1 për vendasit, kur nga një distancë 35 metra largësi, Faruku ka goditur befasishëm me të majtën dhe topi ka ndalur në rrjetën kundërshtare, nga porta veriore, duke shtangur gjithë mjedisin “qemalstafas” dhe 2-2, pas të cilit në një intervistë televizive, portieri Perlat Musta, do të deklaronte: “Faruku është një lojtar i paparashikueshëm”. Por, gjatë karrierës ka edhe dy momente të spikatura: Goli i munguar dhe ai më i bukuri realizuar në Burrel e që i përkasin një takimi të vetëm, atij ndaj “Shkumbinit” të Peqinit në Kategorinë e Dytë.

Pjesa e parë, pasi ka dribluar mbrojtësin e fundit, pastaj kalon edhe portierin me një “sombrero” dhe i vetëm me portën bosh, godet i sigurt nga një distancë e afërt. Topi përplaset në traversë dhe kthehet në mesfushë. Rezultati 0-0, ndeshje e tensionuar, janë minutat e fundit dhe “31 Korriku” ka të drejtën e një goditje këndi. Faruku, shkelmon topin nga këndi i vogël, i cili largohet nga mbrojtja por, që që i vjen sërish atij: në një pozicion thuajse në vijë fundore e godet fluturimthi në gjysëm lartësie, topi merr hark dhe përfundon në krahun tjetër të Kryemadhit, në rrjetë.

Një gol i jashtëzakonshëm, thuajse në të pamundurën për t’u realizuar. Ndërsa tre-golëshin më të famshëm e ka regjistruar në Durrës. Një natë më parë ka qenë në një ditëlindje familjare, pastaj të nesërmen me motor “Java” me një shok, ka udhëtuar për në Durrës. Ndonëse nuk ka dashur të luajë, por trajneri e ka detyruar të zbresë në fushë. Ka qenë në formë të shkëlqyer dhe atë e konsideron ditën më të mirë të karrierës tij sportive, bashkë me tre golat e shënuar ndaj “Lokomotivës” së Durrësit, me portier, mikun e tij, Tur Lekbello.

Shënon, pa luajtur asnjë sekondë…!

I ka qëlluar të mos luajë as edhe një sekondë por të shënojë një nga golat më të rëndësishëm e të rrallë për historinë e futbollit shqiptar. Në Burrel, ndeshje e vështirë me Përmetin, gjatë natës para sfidës, ka dhimbje të forta aq sa nuk mundet të qëndrojë as edhe në këmbë. Mjekët e këshillojnë të mos aktivizohet. Sidoqoftë është në stol, loja po i drejtohet fundit në shifrat 0-0, kur trajneri Jashari, e urdhëron të zhvishet.

“Nuk jam në gjendje…”, i – përgjigjet Farku. “Fashoje këmbën dhe të jesh gati, do të them unë kur të futesh” – e sqaron trajneri që kishte në kokë një ide tipike-Jashari. Faruku shquhej si një goditës i mirë nga pozicione standarde nga vija e 16-metrave, pasi punonte sistematikisht në këtë drejtim. Ai kishte përgatitur figura llamarine dhe dy herë në javë, pas stërvitjes, ekzekutonte mbi dhjetra goditje standarte në kufijtë e zonës.

Për këtë arsye, Jashari priste momentin kur për “31 Korrikun” mund të akordohej një e tillë, që nuk ka vonuar. Goditje dënimi dhe në fushë futet menjëherë Faruku: Pasi ka sistemuar topin, me të djathtën, (këmbën e dëmtuar), godet saktë, topi kalon mbi murin mbrojtës dhe 1-0. Të gjithë janë mbi të, atij i bie të fikët, e marrin me barelë dhe e dërgojnë në spital, ku qëndron katër ditë. Rikuperimi ishte shpejtë, pasi u angazhuan mjekë dhe specialist të spitalit të Burrelit.

Edhe burgu i Burrelit e jetonte futbollin…!

Viti 1981, takimi me gjeneralin Gjin Markun në spital ka qenë shumë i veçantë. Duke qenë se për futbollistët e dëmtuar apo të sëmurë kishte një kujdesje e vlerësim dhe drejtoria e spitalit rezervonte dhomën më të mirë për to. Por, njëkohësisht një e tillë shërbente edhe për trajtimin shëndetësor të burgosurve të burgut të famshëm të Burrelit, ku asokohe vuanin dënimin edhe shumë ish-funksionarë të lartë të PPSh-së, të dënuar si”armiq të popullit”. Shpesh ndodhte që kur një sportist i dëmtuar ishte aty, vinin për vizitë mjekësore dhe të burgosur.

I shtruar për kurim, Farukut, i thonë se do vijë një i burgosur, por nuk duhet asnjë komunikim me të. Ndonëse i shoqëruar me policë, i porsaardhuri duke e kujtuar për të burgosur e pyet: “Po ti mor djalë, çfarë ke bërë që je këtu”? “Jo jam sportist” – i thotë Faruku. “Si e ke emrin”? Dali Faruku – i përgjigjet pyetjes së tij. “Më fal që nuk të njoh, por çdo të djelë dëgjojmë në radio trasmetimin e ndeshjeve dhe kur shpërthen qyteti, e kuptojmë se është shënuar gol”. Aq ishte biseda. U ndanë për të mos u takuar kurrë më, pasi gjenerali tashmë pa grada, do ndërronte jetë aty në burg pas pak kohe.

Kur humbi Edisonin, shokun e ngushtë…!

Dy, janë momentet më emocionale dhe të paharruara të Dali Farukut. Pas takimit me “Besën” e Kavajës, 2-0, ka një çast tragjik: Ndahet papritur nga jeta Sul Xhetani, tifozi i njohur, zemra e të cilit nuk mundi të përballojë emocioneve të jashtëzakonshme të ndeshjes. Por, ajo e vitit 1985, ka lënë gjurmë dhe mbetet dita që e goditi thellësisht në shpirt atë: Muaji prill, ndahet nga jeta shoku dhe miku i tij i ngushtë, futbollisti Edison Muça. I goditur nga një sëmundje e rëndë, Edisoni në moshë të re, mbyll sytë pa mundur t’i rezistojë sëmundjes. Ishin bashkë në një skuadër, në jetë e në familje. Për Dali Farukun, prilli i vitit 1985 do të mbetet i paharruar.

Në kombëtare, biografia pengesë e pakapërcyeshme

I gjatë vetëm 1.76 m., me aftësi individuale të jashtëzakonshme, nuhatës, goditës nga çdo distancë e pozicion më dyja këmbët; i shkallët, driblues, i shpejtë, i paparashikueshëm, me intuitë të lindur, një futbollist i admirueshëm. I pëlqyer nga trajnerët me dëshirën për ta patur në skuadër, siç ishte rasti kur në vitin 1977, në Tiranë zhvillohet Spartakiada e 7 Korpuseve kryesore të Ushtrisë.

Titullar me Korpusin e Burrelit, Daliu realizon katër gola ndaj atij të Gjirokastrës, ndërsa humbet në finale 1-2 me atë të Tiranës, ku luajnë Safet Berisha, Skënder Breca, etj., thuajse e gjithë skuadra e “Partizanit”.  Është turneu në të cilin e sheh Loro Boriçi dhe shpreh mendimin për ta afruar te “Partizani”, por ka biografinë që e pengon. I njëjti motiv edhe në kombëtare: Kur është në kulmin e formës, trajneri Rreli e grumbullon me përfaqësuesen e “viteve të arta”, ku janë Perlat Musta, Ben Minga, Gust Kola, Çim Muça, etj. Stërvitet, luan në miqësore, por nuk udhëton jashtë shtetit.

Ndaj “Dinamos”, “betejë” me të atin…!

Gjatë karrierës futbollistike, sidomos në vitet e Kategorisë së Parë, Daliun e ka shoqëruar një kontradiktë e vazhdueshme me babain, ish-mundës, që e kishte kryer shërbimin ushtarak te Klubi “Dinamo” i kryeqytetit, e për rrjedhojë ishte tifoz por edhe “kundërshtari” kryesor i djalit, të paktën në përballjet, me ish-klubin e tij në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndeshja e radhës në Kategorinë e Parë, “31 Korriku –“Dinamo”, dhe Daliu në fushë luante duke parë babanë të ulur në shkallët e stadiumit. 2-1 fiton “31 Korriku” me protagonistë Petraq Savën, që shënon i pari dhe shifrat dyfishohen me një gol tipik-Faruku. Familjen e ka patur gjithmonë të pranishme në stadium, veçanërisht të atin, por edhe nëna e ndiqte, sidomos te fusha e vjetër, dhe më vonë në Lushnje, kur ai u huazua te “Traktori” në kategorinë e parë.

Hysen Shahu, ai që ndryshoi një qytet…!

Në karrierën e tij, madje kulmin me fanellën matjane, Faruku e ka kur në Burrel, vjen Hysen Shahu, si Sekretari i Parë Komitetit Partisë së rrethit, një pasionant, njeri human, i sjellshëm dhe shumë dashamirës sporti: “Ardhja e tij ka qenë një faktor pozitiv për të gjithë.

Futbollistët i sistemoi në punë me pagesë të mirë, i dha apartamente banimi dhe klubi e sportistët kishin një mbështetje e mbrojtje të madhe prej tij, për çdo problem, si sportiv e familjar. Ndërtoi stadiumin dhe pas një viti nxori Burrelin në Kategorinë e Parë, çka nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Për të gjithë ai mbetet njeriu që në mënyrë absolute ndryshoi jetën e një qyteti.

Nga e hëna deri të shtunën, në punë, familje, kudo, diskutohej me pasion për futbollin dhe pritej me padurim ndeshja e fundjavës. Nëse ka njeri që i dha jetë, punë, banim dhe sport një zone si Matit, është e lidhur me kontributin dhe i dedikohet vetëm Hysen Shahut. Bashkë me të edhe, pasardhësi ti tij, Nedin Hoxha, ka një meritë të pamohueshme”- përfundon Faruku, për dy ish-sekretarët e parë të rrethit të Matit, të cilët kujtohen edhe sot nga tifozeria e vjetër për ndihmën dhe përkrahjen që i dhanë sportit në atë qytet.

Në Lushnje, transferimi “chock” për kohën!

Sezoni 1987-‘88 ka një të papritur dhe kthesë në karrierën e Dali Farukut, aq më shumë të mjedisit matjan, kur një lojtar aq popullor dhe i njohur i zonës, qytetit dhe klubit, largohet për të luajtur në Lushnje me “Traktorin”! Një transferim i rrallë për kohën, pasi një mekanizëm i tillë për lojtarët, ende nuk funksionon në Shqipëri.

Shkak u bë një mik i tij lushnjar, Llukan Jani, tifoz, që punonte si revizor në tregti në Burrel, i cili jep idenë dhe këmbëngul për një lëvizje të tillë. Faruku është 31-vjeç, ndërkohë Themie Thomai është ministre Bujqësie, ndërsa në Lushnje Sekretar i Parë Sul Bushati. Kanë biseduar dhe me një “urdhër”, vendoset transferimi tij, nga Klubi i “31 Korrikut” tek ai “Traktori”.

Gusht i vitit 1987, Daliu shkon në Divjakë, ku është grumbulluar skuadra me trajner Xhavit Sefën dhe pasi e kanë prezantuar, i venë në krah shiritin e kapitenit të skuadrës. Në Lushnje është bashkë me familjen, I japin shtëpi në qendër, dhe e emërojnë mësues në shkollën “Foto Puka”. Nga viti 1987 deri në 1994-ën, në harkun e shtatë sezoneve myzeqare, në tre vitet e para luajti si mesfushor, ndërsa pjesën tjetër, si mbrojtës i lirë.

Bashkë me trajnerët Sefa, Mone, stafin, mjekun, masazhatorin dhe me Artan Banon, Dalipin, Malkon, krijuan një skuadër shumë rivalizuese e të frikshme për kohën. “Po të mos kisha ikur në Lushnje, do ta lija futbollin”, tregon Faruku. Nga Lushnja ka edhe një detaj: Me të në skuadër për një sezon (1992) ka luajtur edhe vëllai Xhelali. Ishte vetëm 18-vjeç, kur Daliu e mori te Lushnja, madje ka realizuar gol në Durrës, në ndeshjen që debutoi.

Xhelali u aktivizua më pas me “Laçin”, “Besëlidhjen” dhe “Partizanin”, për të ardhur në vitin 1996, përsëri në Lushnje, kur Daliu ishte larguar e kthyer në Burrel. Në Lushnje “farukt”, i kanë dashur, respektuar dhe për Farukun janë vitet më të bukura të karrierës sportive, ndonëse për Burrelin ka shumë nostalgji.

I vetëm mes jabanxhinjve

Një jetë sportive e karakterizuar me stërvitje, me trajnerë e drejtues të shquar nga F. Hysa, P. Sina, Z. Xhetani, R. Jashari, Q. Kola, S. Dauti, Xh. Sefa, A. Mone, etj., dhe një spirale sa në të parën e të dytën. Por, e veçanta e tij sportive, në boshtin Burrel-Lushnje, është e lidhur me një fakt të rrallë:

Kur luante dhe ishte lider në Burrel, (pa e tepruar aspak, mund të themi se ishte kthyer në një legjendë), skuadra përbëhej nga të futbollistë të ardhur, si: tiranasit Petraq Sava, Marko Pelinxhi, Sinan Bardhi, Sh. Koni, Sh. Bushati, Pjerin Noga, Y. Shabani, F. Demneri; durrsaku E. Ikonomi, vlonjati B. Braho, korçari A. Tytka etj., pra të ishte i vetëm në mjaft takime midis të “huajve”. Shkon në Lushnje, sërish i vetëm, por në këtë rast në një formacion ku të gjithë janë lushnjarë. Një karrierë thuajse i vetëm, midis jabanxhinjve!

Ato që i dalin në “ëndërr”…!

Daliu nuk harron Delvinën, Cerrikun dhe Lushnjen. Para takimit në Delvinë, i zhdukën pasaportën, me kushtin se do t’ja kthenin, por ai të mos shënonte dhe Delvina të fitonte ndeshjen. Apo shuplaka në Cerrik, ndërsa skuadra e arbitra futen brenda, Farukun e kërkojnë dy persona: “Për golin që bëre, nuk kemi çfarë të themi, por për topin që e largove nga pallatet meriton një shpullë – i kanë thënë, duke e goditur në fytyrë. Dhe përballja me Lushnjen në Burrel, kur ishte trajner e drejtonte skuadrën matjane. Myzeqarëve i duhej detyrimisht fitorja, por që nuk mundën ta merrnin. “Ka qenë një situatë, nga më të vështirat e jetës” – kujton Faruku.

Fanella me numrin 10-të, në Angli

Me numrin 10-të ka luajtur gjatë gjithë karrierës, nga “31 Korriku” deri në Lushnje me “Traktorin”. Një fanellë, atë burrelase e kishte ruajtur, si të vetmen kujtim, por, një ditë edhe ajo do t’i zhduket. Djali i një familje matjane, e larguar në Angli në vitet 90-të, i kërkon të atit një fanellë të “31 Korrikut”, të kohës së lavdishme.

I ardhur me pushime në Shqipëri, dhe në kërkim të një bluze, i vetmi që njihte nga ajo kohë ishte Faruku. Pasi janë takuar i ka treguar se djali i tij Henri, tashmë i rritur, nisur nga pasioni dhe rrëfimet e të atit, dëshironte një fanellë të “31 Korrikut” të viteve ‘80-të. I ndodhur para kësaj kërkese dhe me shpirt shumë human, të vetmen që kishte atë me numër 10-të, ja dhuroi të atit për djalin.

“Faruku”, çfarë dinastie!

Farukt, një dinasti e vërtetë dhe jo më pak e famshme e me kontribut në sport:  Tre vëllezër, Daliu, Xhelali, Kastrioti, të gjithë futbollistë, titullarë me “31 Korrikun”, madje në një ndeshje, në vitin 1998, në finale në “Qemal Stafa”, Burreli-Memaliaj 1-0 (gol Patushi) që i siguron Kategorinë e Parë, në fushë janë të tre: Daliu si lojtar-trajner, luan vetëm 12 minutat e fundit, në krah të Xhelalit dhe Kastriotit, një rast i konsideruar unikal, madje janë të ftuar në studion e RTSH-së nga gazetari Defrim Methasani, në një nga emisionet e paradites. Në fushë, “dinastia Faruku” ka qenë korrekt, në marrëdhëniet me trajnerë, arbitra, shokë, kundërshtarë, rrallë kanë marrë kartonë ndëshkues.

Prej vitesh në Tiranë

Dali Faruku u nda me futbollin e luajtur në takimin “31 Korriku” –Lushnja, 3-1, pikërisht me 12 shtator të vitin 1998, duke ja dorëzuar fanellën të vëllait, Xhelalit. E la kur ishte 41 vjeç (një rast i rrallë), pas një karrierë të ndarë në tri faza: Futbollist me “31 Korrikun”, pastaj “Traktorin” dhe lojtar e trajner me Burrelin, deri kur në vitin 2006, kur u shkëput përfundimisht. Kapiten, nga momenti kur e morri shiritin nga Kola në Burrel, deri në çastin kur ja dorëzoi Banos, pasi u largua nga Lushnja. Golashënues, assit-man, i gjithanshëm.

Prej disa vitesh jeton në Tiranë, bashkë me familjen dhe tre fëmijët: Spartakun 29-vjeç nga martesa e parë dhe dy fëmijë me lidhjen e dytë, gruan të cilën e njohu gjatë qëndrimit në Lushnje: Vajza Eda, juriste dhe djali Alvaro, i aktivizuar me moshat e “Partizanit”. Fanellën me numrin 10-të, siç e tregoi e ka në Angli.

Kjo ishte e fundit, nuk ka më asnjë tjetër, as të “31 Korrikut” as edhe të Traktorit” të Lushnjes, madje asgjë personale që ta lidhin me vitet e lavdishme futbollistike. Pi duhan, ashtu si edhe kur luante, ndonëse nga fiziku nuk ka ndryshuar dhe ka mbetur ai Faruk elegant, i kohës kur ishte protagonist kryesor dhe e gjithë tifozeria e zjarrtë matjane, e thërrisnin “Karl Delhaj”, duke krahasuar me futbollistin e famshëm gjermano-perëndimor, të viteve ’80-të. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: