Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka pritur sot në një takim zyrtar ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut , Kreshnik Bekteshi.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, ata kanë bërë me dije se kanë diskutuar mes të tjerash edhe në lidhje me rritjen e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve si dhe lehtësimin e tregtisë me Shkupit e Tiranës.

Te dy ministrat shprehën dakortësinë që të vijohet në lehtësimin e të gjitha  procedurave në mënyrë që ti shërbehet më mirë lëvizjes së lirë të njerëzve dhe tregut të përbashkët.

Bashkëpunimi mes dy vendeve është rritur së fundmi, edhe falë pjesëmarrjes snë nismën “Open Balkan”.

Në kuadër të saj, ministri Bekteshi ka lajmëruar se duke nisur që nesër, Maqedonia e Veriut do të nisë eksportin e vajit të lulediellit, një produkt që para nisjes së agresionit rus, vinte në vendin tonë nga Ukraina.

Deklarata e Ministres Ibrahimaj:

Është një kënaqësi e veçantë të mirëpres homologun tim, z. Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilin sapo patëm një takim të frytshëm.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë marrëdhënie bilaterale shumë të mira, të cilat janë përforcuar nga viti në vit. Në fakt, në kuadër të nismës Open Balkan, ne kemi marrë disa vendime për lehtësimin e tregtisë, për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, të punës dhe kemi në plan të vijojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat në mënyrë që ti shërbejmë një tregu të përbashkët, t’i shërbejmë një stabilizimi më të mirë të të dyja ekonomive, të treja ekonomive në fakt, dhe qëndrueshmërisë ekonomike.

Ne kemi vendosur që do të marrim të gjitha ato hapa që më tutje pastaj do të na lehtësojnë integrimin në Bashkimin Europian, si në kuadër të nismës Open Balkan, si në kuadër të gjithë marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si në kuadër të CEFTA-s.

Sot biseduam me detaje për efektet që kriza ekonomike, e ndikuar nga agresioni rus mbi Ukrainën ka sjellë në të dyja vendet dhe për masat e marra nga secili vend me qëllim lehtësimin e pasojave të krizës ekonomike dhe reagimin që kanë sjellë këto masa në ekonomitë e vendeve tona.

Gjithashtu, është e rëndësishme të theksojmë se në periudha të tilla krize, kanalet e tregtisë dhe kanalet e operimit tregtar janë kryesore me qëllim përballimin sa më të mirë, me qëllim furnizimin e popullatës me ato produkte të cilat janë jetike dhe të domosdoshme për tu tregtuar.

Dua të falënderoj ministrin pasi nesër, Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë një vendim të rëndësishëm, i cili do të çelë eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë, një produkt i cili, siç kemi bërë të ditur në daljet e tjera publike, kryesisht importohej nga Ukraina dhe ka pasur një mungesë të tregtimit të tij në tregjet ndërkombëtare dhe kjo ka qenë arsyeja pse dhe çmimet kanë qenë më të rritura.

Unë dua ta falënderoj edhe njëherë ministrin për të gjitha bisedat konstruktive. Dua të siguroj se marrëdhënia mes dy vendeve tona, në kuadër të tregtisë, do të vazhdojë të jetë shumë e mirë dhe do të vazhdojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër të Open Balkan.

Edhe njëherë e falënderoj për çeljen e eksporteve, që është shumë e rëndësishme për furnizimin me mallra në një periudhë krize.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb