DELVINË- Rreth 1 kg heroinë është sekuestruar nga blutë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë në Delvinë, ndërsa janë arrestuar në flagrancë tre persona të cilët do ta trafikonin drejt Greqisë. Burime zyrtare pohojnë se në kuadër të operacionit të koduar antidrogë “Finiqi” është bërë e mundur të sekuestrohet rreth droga dhe një sasi municioni.

Në pranga kanë rënë Arben Q. Kanina, 43 vjeç, 17-vjeçari me iniciale M.K. dhe Gëzim U. Mixha, 49 vjeç që të tre banues në Delvinë. Arrestimi i këtyre personave u krye në kuadër të procedimit penal të nisur në Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë që në vitin 2014.

Specialistët e Sektorit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë  as hetimeve disa mujore kanë ndërhyrë mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 në qytetin e Delvinës teksa shtetasit e mësipërm ishin duke presuar heroinën, të cilën dyshohet se do ta trafikonin më pas në drejtim të Greqisë. Policia po heton për përfshirjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: