Në një reagim në ‘Facebook’, sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka reaguar lidhur me keqpërdorimin e fondeve publike.

Ai shprehet se qeveria ka shpërdoruar paratë e shqiptarëve dhe se krijon projekte për të grabitur paratë e qytetarëve. Duke iu referuar raportit të KLSH për dëmet në buxhetin e shtetit, Braimllari tha se ky dëm është 5.5 mld.

REAGIMI I BRAIMLLARIT
Rilindja e zhytur në korrupsion, abuzim dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Qeveria bën “rrush e kumbulla” paratë e shqiptarëve, krijon projekte vetëm për të vjedhur lekë
Më shumë se 5.5 miliardë lekë është dëmi ekonomik që qeveria i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit gjatë vitit 2021, si pasojë e mangësive në procedura, shkeljeve të afateve, korrupsionit, mungesës së efektivitetit si dhe zgjidhjeve teknike të gabuara në projektet infrastrukturore.
Konstatimin e bën Kontrolli i Lartë i Shtetit në audimin që i ka bërë projekteve të ndryshme gjatë vitit 2021.
Shkeljet nuk kanë të bëjnë vetëm me investimet e financuara nga Buxheti i Shtetit por edhe ato të huaja.
“Nga auditimi i 8 projekteve me financime të huaja, janë konstatuar mangësi dhe shkelje me pasojë dëm ekonomik në shpenzime në shumën 8 milionë lekë për likuidimin e punimeve të pakryera, si dhe përdorim pa ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të fondeve publike në shumën 551 milionë lekë, si rrjedhojë e mangësive në drejtim të zbatimit të punimeve, konkretisht shtyrjes së afateve të zbatimit të kontratës, si dhe zgjidhjeve teknike jo të favorshme” thuhet në raportin e KLSH-së.
Gjithashtu KLSH nënvizon se marrja e angazhimeve në projekte pa pasur fondet buxhetore ka vijuar dhe po kështu edhe mosrespektimi i ligjit për sistemin buxhetor për kontraktimet pas datës 15 tetor të çdo viti.
Sipas KLSH-së vetëm në vitin e shkuar qeveria ka firmosur në shkelje të ligjit buxhetor plotë 1033 kontrata pas datës 15 Tetor me një vlerë prej rreth 400 miliardë lekësh, ndërkohë që angazhimi buxhetor për vitin 2021 rezulton të ketë qenë vetëm 40.3 miliardë lekë.
Një tjetër gjetje e raportit të KLSH-së është edhe fakti se qeveria vetëm në funksion të qëllimeve elektorale të zgjedhjeve të ardhshme vendore ka nisur në masë regjistrimin e projekteve në infrastrukturë pa patur asnjë lekë në buxhet.
“Problematikat e mësipërme tregojnë për mangësi të theksuara kryesisht, planifikimi të investimeve publike nga ana e institucioneve qendrore dhe vendore, me efekt presion për rritjen e borxhit publik, si pasojë e mosrespektimit të kufijve të miratuar për shpenzime në vitin buxhetor aktual dhe kufijtë e miratuar për vitet e ardhshme buxhetore”, thuhet në raport.
Raporti është një tjetër kambanë alarmi se çdo ditë e Edi Ramës në qeverisje është një barë Akoma më e madhe për shqiptarët.
Ora e ndëshkimit me votë po afron.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb