A mundet një vitaminë të largojë rrezikun e demencës? Përgjigje pozitive vjen nga studiuesit, që cilësojnë një vitaminë të njohur në rolin e “kujdestarit” të mendjes për 80-vjeçarët.

Sasia e duhur e vitaminës D në ditë mund të na mbrojë nga rreziku i demencës, sipas studiuesve nga Universiteti i Calgary në Kanada dhe Universiteti i Exeter në Mbretërinë e Bashkuar.

Vitamina D, e njohur më mirë si vitamina e diellit, është gjithashtu e njohur për përfitimet e saj në thithjen e kalciumit dhe fosforit dhe rregullimin e sistemit imunitar. Por duket se është edhe vitamina e mprehtësisë.

Studiuesit analizuan lidhjen midis plotësimit të vitaminës D dhe demencës midis 12,388 njerëzve të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Alzheimerit në SHBA.

Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 71 vjeç dhe ata nuk kishin demencë në fillim të studimit. 37% (4637) raportuan se merrnin suplemente të vitaminës D.

Studiuesit arritën në përfundimin se marrja e vitaminës D ishte e lidhur me mungesën e demencës nga jeta e të anketuarve për një periudhë më të gjatë kohore. Kishte 40% më pak diagnoza të demencës në grupin që merrte suplemente të vitaminës D. Në të gjithë kampionin e analizuar, një total prej 2696 pjesëmarrësish zhvilluan demencë gjatë një dekade, kur pjesëmarrësit ishin mesatarisht afër 80 vjeç. Nga ky grup, 2017 (75%) nuk kanë marrë vitaminë D, ndërsa 679 (25%) kanë pasur ekspozim minimal ndaj kësaj vitamine.

Hulumtuesi kryesor Profesor Zahinoor Ismail shpjegoi se efekti i dobishëm i vitaminës D në zvogëlimin e rrezikut të demencës nuk ishte i panjohur për studiuesit, megjithatë ata donin të fokusoheshin veçanërisht në rolin e plotësimit të vitaminës D në lidhje me demencën.

Në gjetjet interesante të shkencëtarëve veprimi i vitaminës D ishte më i madh tek femrat, si dhe tek ato që kishin aftësi normale njohëse në ndryshim nga ato që raportuan simptoma të dëmtimit të lehtë kognitiv. Gjithashtu, plotësimi i vitaminës D ishte më efektiv tek ata që nuk mbanin gjenin APOEe4 që shkakton sëmundjen e Alzheimerit.

Studimet e mëparshme kanë treguar se nivelet e ulëta të vitaminës D janë të lidhura me një rrezik në rritje të demencës dhe se vitamina D vepron si një “pastruese” e pllakave amiloide në tru. Akumulimi i kësaj proteine ​​është një shenjë dalluese e fillimit të sëmundjes Alzheimer.

Vitamina D mund të parandalojë ose vonojë demencën sipas studimeve, por para se të nxitoni për të marrë suplemente, mbani në mend se nevojiten studime klinike për të konfirmuar këtë zbulim. Me fjalë të tjera, studime të tjera në pacientë duhet të bëhen për të konfirmuar përfundimet e studimeve vëzhguese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb