NGA: FATMIRA NIKOLLI
Lejohet vendosja e konstruksioneve të lehta LARG mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara… Konstruksionet duhet të jenë të lëvizshme dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën”. Ky është neni 2 i rregullores për ndërhyrjet në zonën arkeologjike A të qytetit të Durrësit, të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2011. Në fund të saj, një hartë përcakton qartë kufijtë e gjurmët e zonave.

FORUMI
“Ligji për trashëgiminë kulturore është eksplicit dhe i qartë: në zonën e mbrojtur A nuk lejohet asnjë punim nëntokësor dhe mbitokësor përveç shtresave rrugore. Ndërsa në fakt, zona A është mbjellë me pilota betonarmeje deri 10 metra thellësi”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ndërkaq, prej këtij forumi është bërë publike edhe një hartë që tregon se ku është kufiri i zonës së mbrojtur dhe ku e ka vënë atë kufi kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Përmes hartës, forumi veçon objektet e njohura të trashëgimisë dhe tregon diferencën mes hartës së VKM-së së 2011-ës dhe hartës në projektin e “Velierës”- në të parën zona e mbrojtur është më e gjerë, në të dytën ajo tkurret. Po gjatë ditës së djeshme, forumi ka bërë publike edhe hartën e vitit 2011, miratuar me Vendim Qeverie më 23 mars, bashkëngjitur miratimit të rregullores “Për administrimin e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit”.

Sipas forumit, harta dëshmon se punimet e projektit “Veliera” po kryhen në zonën A të qytetit. Kujtojmë këtu se kreu i bashkisë tha para deputetëve në Komisionin e Medias në Kuvend ditën e hënë se punimet po bëhen në zonën B, ndërsa ministrja Kumbaro tha “mes zonës A dhe B”. Ditën e djeshme, forumi këmbënguli që pjesë të pilotave janë ngulur mu mbi muret ende të padokumentuara, ndërsa sipas këtij bashkimi specialistësh, “Ligji për trashëgiminë kulturore është eksplicit dhe i qartë: në zonën e mbrojtur B nuk lejohet asnjë lloj punimi pa përfunduar gërmimi arkeologjik”. Forumi denoncoi që në zonën B, punimet vazhdojnë me ritme frenetike, pavarësisht vendimit (po aq të vonuar) të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për t’i ndaluar ato.

“Në gjithë këtë histori, ku bashkia po bën zhurmën e saj për t’u fshehur pas relacioneve konfuze të institucioneve që s’kanë bërë detyrën, bie në sy i munguari i madh: Ministria e Kulturës e Republikës sonë”, thoshte dje forumi, teksa kërkonte me forcë:
“E para, ndërprerjen e vërtetë dhe të menjëhershme që tani të punimeve në të gjithë zonën A dhe B të interesuar.
E dyta, zbulimin e të gjithë sitit, riheqjen e të gjitha shtresave zhavorre, dhera, betone etj., në mbi 70% të sipërfaqes së këtij siti, i cili është gërmuar me ekskavator”.

VKM
Në zonën arkeologjike A të qytetit të Durrësit, sipas rregullores së miratuar me VKM nga ish-kryeministri Sali Berisha më 2011, lejohet: 1-Restaurimi dhe konservimi i monumenteve dhe strukturave arkeologjike, kryerja e sondazheve arkeologjike; 2- Rikonstruksioni (pra jo ndërtimi, por rindërtimi) i rrugëve dhe të gjitha punimet në rrjetin inxhinierik, ujësjellës-kanalizime, ndriçim, telefoni; 3- Vendosja e konstruksioneve të lehta, dru, xham, plastikë, metal, me lartësi maksimale 3 m, të cilat duhen realizuar LARG mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet vendosen dhe përdoren nga institucionet shtetërore të specializuara, duhet të jenë të lëvizshme dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: