Ministrja e Kulturës dhe njëkohësisht koordinatore e Rindërtimit për zonat e prekura nga tërmeti Elva Margariti e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Margariti u shpreh se në Tiranë zonat më të dëmtuara janë “5 Maji” dhe Kombinati, ndërsa ka shtuar se është duke u punuar intensivisht për të kryer përmirësime e rregullime në to.

“Tirana në planin e vet rregullues, ka hapësira të përcaktuara si të truallit të shtetit, pjesa e Bregut të Lumit, Kombinati është zonë ku duhet të ndërhyhet, sepse ka banesa që janë të vjetra dhe janë amortizuar prej kohësh. Mund të themi se shumë ndërtesa që janë të vjetra duhen studiuar. Në Kombinat po studiojmë vendin për të parë cilat godina kanë nevojë për rregullim etj. Po hartojmë planin për rikonstruskion. Edhe në Durrës në zonën e plazhit po nisim kualifikimin urban. Ne mendojmë se në fund të muajit do të kemi paketën e plotë dhe të nisim më pas punën në terren. Duhet formula e duhur shpronësim – kompensim dhe për këtyë po hartohet ligj i posaçëm. Në kryeqytet, problematike janë zona e 5 Majit, Kombinati dhe zona e ish-Uzinës të Auto-traktorëve”, tha Margariti.

Elva Margaritii theksoi se edhe monumentet janë dëmtuar nga tërmeti, duke vënë në dukje se më tepër problematika ka pasur Kalaja e Krujës, Preza e Durrësi.

“Durrësi, Kruja dhe preza janë pikat më të prekura. Që në momentin e parë kemi bërë vlerësimin e dëmit. Kemi pasur bashkëpunim me shumë të huaj. Kalaja e Krujës është e dëmtuar, por ne do të bëjmë rehabilitimin e kalasë dhe do të bëjmë projektin deri në hollësi. Kemi hequr gjitha mbetjet nga territori. Kalaja e Prezës ka dëmtime në pjesën e sipërme. Vetëm në pjesën e sipërme të kalasë kemi një shkëputje. Këta ditë presim edhe ekspertë italianë. Kemi ecur përpara me evidentimin e dëmit. Ky është hap i mirë për rikonstruksione, por që duan sigurisht kohën e vet”, deklaroi Margariti.

Më tej, Margariti tha se edhe në Laç janë identifikuar godinat që duhet të shemben, kryesisht ata ndërtesa që kanë probleme në strukturë.

“Vazhdojmë që të kemi në fokus përditësimin e të gjitha dëmeve. Janë identifikuar godinat me rrezikshmëri më të lartë. Shumë godina janë futur në provë nëse janë për rindërtim. Ne kemi nisur punën për të identifikuar në parim cilat do ishin zonat për një rikuperim të menjëhershëm. Jemi fokusuar më tepër në hapësirat ku trualli është në pronësi të shtetit. Në Laç janë identifikuar godina që duhen shembur, sepse janë dëmtuar në pjesën strukturore. Qyteti ka pasur edhe problematika të tjera si përmbytjet nga lumi në qytet”, u shpreh ajo.

Elva Margariti shpjegoi edhe mënyrën sesi do të rindërtohet në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës.

“Në Durrës, zona e Spitallës është ajo zonë ku mund të ndërhyjmë. Në qytetin e Durrësit kemi projektin e Porto Romanos, për ta kthyer nga një vend depozitim mbetjesh, në një eko-park. Kemi universitetin aty, tjetër magnet për jetën e përditshme. Duhet të mendojmë zona që janë vërtetë hapësira për të jetuar, po mendojmë për zona ekonomike që i mungojnë qytetit, bashkërenditur me komplekse pallatesh. Do punohet paralelisht në të gjithë territorin. Mund të ketë projekte që “ecin më shpejt”, ndërsa ka nga ata projekte që ecin më ngadalë.”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti falënderoi edhe Turqinë për ndihmën që ka dhuruar ndaj Shqipërisë për të përballuar këtë fatkeqësi.

“Edhe Turqia na ka dhënë ndihmë. Ne do të ndërtojmë 500 banesa me ndihmkë nga Turqia, gjërat janë me plan të mirë-menduar. Kam folur me ekipet turke dhe ata vetë kanë thënë se deri në fund të vitit tjetër do të kemi projektet gati”, vlerësoi ajo.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb