Analisti Eduard Zaloshnja tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se dëmi i tërmetit të 26 nëntorit nuk është 1 miliard euro, siç thotë qeveria, por sipas përllogaritjeve të tij, kap vlerën e 700 milionë eurove.

Një gjë e tillë është pranuar edhe nga ministri Fuqiplotë i Emergjencës, Bledi Çuçi, i cili sqaroi se përllogaritja përfundimtare është bërë në bazë të dy komponentëve, dhe jo duke u bazuar vetëm te dëmet.

Pjesë nga diskutimet:

Zaloshnja: Numri i objekteve të dëmtuara, se aty fillon, unë bëra një llogari të përafërt dhe më rezultoi se shifra jonë nuk mund të ishte 1 miliard euro, por diku te 700 milionë euro. Nuk është diçka që e bën një ministër apo dikush tjetër, por janë ekspertët. Gjithmonë ka pasur debate, jo vetëm në Shqipëri. Kudo ku ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme ka gjithmonë debate për shifrat e dëmeve, sepse nuk është shkencë ekzakte.

Çuçi: Ajo shifra që thoni ju, aq është në fakt. Dëmet fizike për ndërtesat aq janë, 620 milionë e kemi ne. Ka dy komponentë. Ka sektorë, që e kanë humbjen më të madh se dëmin.

Zaloshnja: Kur vjen puna te humbjet, nuk është më shkencë, është art, sepse humbjet parashikohen sikur të mos kishte rënë tërmeti, sa do kisha fituar unë. Dhe kjo është art, nuk është shkencë. Te dëmet është çështje e shkencës. Te 300 milionëshi i humbjes, aty ka rezervë, mund të jetë dhe 100 milionë. Por, te dëmet, nga llogaritjet që bëra unë, shkonte te 700 milionë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb