Nga: FATOS ÇOÇOLI *
Më në fund për një ditë u shfaq opozita që donim. Një forcë politike e gatshme të kritikojë dhe denoncojë pa dhunë, e ndërgjegjshme për rolin e saj në një lojë të ndershme demokratike për pushtet. Çfarë qytetarët panë më 12 mars në protestën e opozitës kryesore në vend, ishte një organizim i përsosur për të shmangur dhunën dhe incidentet e pakërkuara. Ky organizim, që vuri përballë policeve femra të pozitës, vajzat dhe djemtë paqësorë, të fashuar në njërin krah, të opozitës, fitoi pikë të shumta në sytë e shqiptarëve. Pse nuk prodhoi turbullirë, dhunë, konfuzion? Opozita jonë kryesore erdhi në sfidën e 12 marsit me motorët që mund ta bëjnë të shpresojë shumë për t’u kthyer në pushtet dy vjet më vonë, me gjithë humbjen e rëndë që pësoi gati dy vjet më parë. Erdhi me kërkesën për mungesë të dhënash kriminale në radhët e politikanëve, që është një kauzë e drejtë, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Dhe me kërkesat e përhershme të një opozite në një vend të varfër si i yni, sikurse janë më shumë shanse për punësim, më shumë sprova qeveritare për të ndihmuar ekonominë e vendit, ulje të barrës së taksave, etj. Qytetarët e Tiranës kishin marrë masa mëngjesin e 12 marsit, pas disa deklaratave të papërgjegjshme politikanësh, që kishin ngritur një tension artificial në kryeqytet dhe një pritshmëri plot ankth. Në orën 10 shumë dyqane u mbyllën. Prindërit rendën të merrnin fëmijët e tyre në shkollat fillore. Një si parapërgatitje që të kujtonte mëngjesin e datës 21 janar katër vite më parë. Për fat dhe për demokracinë e brendshme të padiskutueshme të organizatorëve të kësaj proteste, asgjë e ngjashme nuk ndodhi. Me dhjetëra mijë protestues të ardhur nga të katër anët e vendit tundën pankartat dhe banderolat që kishin marrë, dëgjuan drejtuesin e opozitës të fliste shkurtimisht e me pasion dhe pasi qëndruan në rrugët kryesore të Tiranës për një orë a dy, u larguan për në punët e tyre. Askush nuk hodhi qoftë një tymnajë apo shishe benzine ndaj institucioneve, pse të tilla protestuesit nuk kishin. Askush nuk u përball me forcat e rendit, nuk i provokoi apo të konfrontohej me ta. Askush nuk prodhoi pasiguri, tension, imazhe si të protestave të dhunshme në vendet e Afrikës së Veriut. Që do ta kishin kthyer Shqipërinë tonë shumë hapa prapa, duke e rihedhur në skalionin e shteteve të turbullta dhe konfliktuale. Duke e goditur në palcë ekonominë tonë të brishtë. Duke stepur investuesit e mundshëm të huaj të saj. Duke sjellë konfuzion, frikë e pasiguri për të ardhmen në çdo vatër shqiptare. Duke vrarë praktikisht të ardhmen e këtij vendi për shumë muaj e ndoshta dhe vite. Kemi një trashëgimi kaq të hidhur e humbëtare të protestave të mëparshme politike, të degjeneruara në dhunë e tension të skajshëm. Sa nuk na besohet që gjithçka shkoi aq mirë tri ditë më parë. Protestuesit e 12 marsit kishin ardhur paqësorë dhe dhanë kumtet e tyre në mënyrën më qytetare të mundshme. Nëse kjo opozitë ngre alternativa dhe jep mundësi qeverisjeje më të mirë se kjo ofertë që kemi sot, me produktin politik që nxori më 12 mars, ia vlen të dëgjohet. Më në fund nuk kemi një formacion politik baltosës ndaj kundërshtarit, i gatshëm vetëm të prodhojë hamendime pa fund dhe pa shumë bazë, që po vetë i merr si të vërteta të padiskutueshme. Kemi një opozitë që mbron një kauzë për t’i kthyer politikës përmasën e përgjegjshmërisë ndaj misionit të saj, duke mos lejuar përzierjen e saj me krimin. Një opozitë që i është kthyer jetës normale të Parlamentit, edhe pse ende lundron mes shumë pasionesh vetjake e etjesh për protagonizëm pa bukë. Takimet protestuese të çdo të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë thjesht një vijim i kulmit të 12 marsit. Ato nuk do të mund të shërbejnë si fitila të një fuçie baruti, por do të jenë valvula presioni e shkarkimi të mllefit opozitar, nëse nuk do të ketë dhunë dhe konfrontim të protestuesve me forcat e rendit. Opozita me to mund të provojë të mbajë gjallë nervin protestues të rrugës, por punën kryesore e ka në sallën e Kuvendit dhe në alternativat qeverisëse që duhet të shpalosë, sidomos me afrimin e zgjedhjeve vendore.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: