Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka reaguar pas dhunës dhe arrestimit të të shoqit, Dardan Molliqaj, gjatë një protestë dietën e sotme.

Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, Shahini thekson se kryeministri Albin Kurti do të shuajë çdo zë opozitar, edhe ndaj aktivistëve që dënuan gjykatën speciale, që sipas Shahinit është kundër UÇK-së.

Ajo thotë ndër të tjera se demokracia në Kosovë është në pikën e saj më të brishtë që nga paslufta dhe nevoja për hapësira opozitare dhe të zëshme sipas saj po vjen duke u rritur.

Postimi i Besa Shahinit:

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm. Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kundër hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve.

Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.
Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet më të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb