Në Tiranë, pjesëmarrës të revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit si dhe Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë i kërkuan autoriteteve më të larta të shtetit dhe politikës, që të punojnë për kujtesën kombëtare, duke dënuar diktaturën komuniste.

Këtë vit mbushen 50 vjet nga Revolta e Spaçit, ku të burgosurit politikë protestuan me flamurin kombëtar pa yllin komunist.

Por pjesëmarrës të asaj proteste, pohuan se ende sot nuk është kryer distancimi nga diktatura, ndërsa politika dhe administrata nuk kanë parandaluar përfshirjen në to të personave, që i shërbyen regjimit komunist.

Të burgosurit politikë të Spaçit dhe burgjeve të të tjera të regjimit komunist u kërkuan autoriteteve të japin një fond për rehabilitimin e Muzeut të Spaçit, ndërsa në kryeqytet kërkuan të nderohen protagonistët e revoltës antikomuniste në njërin nga burgjet më të egra të diktaturës Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja me shokë.

Pjesëmarrësit e mbetur ende në jetë nga revolta e antikomuniste në burgun e Spaçit u mblodhën sot në Muzeun Kombëtar për të kujtuar vuajtjet e tyre të padrejta për dënimet e motivuara politikisht si kundërshtarë të regjimit.

Ata theksuan se në këto 32 vite pluralizëm politik asnjë herë nuk u bë mjaftueshëm për rehabilitimin e të dënuarve politikë, dënimin dhe distancimin nga ai regjim kriminal, ndërsa njerëz të tij ende janë të pushtetshëm dhe pengojnë de-komunistizimin e shoqërisë.

“Shqiptarët janë të pakët për t’u ndarë në palë të kundërta. Kundrejt nesh është ushtruar genocid dhe veprat tona për ta kundërshtuar këtë genocid disa grupime janë munduar ta shuajnë duke u dhënë legjitimitet banditëve. Edhe thonë se janë shqiptarë, por ata nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptar. Ata përçudnuan kufomat. Ata torturuan njerëzit e lidhur. Pala e munduar dhe e sfilitur prej diktaturës komuniste ka dhënë burra të mëdhenj, që kanë ngritur lart flamurin kombëtar. Sa herë që pushteti merret majtas, ata jo vetëm që nuk nderohen, por shpesh herë duan edhe t’i poshtërojnë”, thotë Demir Pojani, ish i burgosur politik.

Organizator i tubimit ishte Unioni Mbarëkombëtar për Integrimin e ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Drejtuesi i Unonit, Besim Ndregjoni, theksoi se ende pas 50 vjetësh nga ajo revoltë dhe 32 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, ish të dënuarit politikë të atij regjimi kanë mungesa të mëdha në jetën, shëndetin dhe ekonominë e tyre, dhe se atyre ende u nxirren pengesa me afate dokumentash, me nene bllokuese, ende nuk nderohen dhe nuk u flitet të rinjve për sakrificat e tyre, për burgun e padrejtë dhe punën e detyruar gjysmë shekulli në miniera dhe ndërtime të infrastrukturës.

“Demokracinë e prunë këta burra, që nuk patën frikë nga plumbat dhe hekurat. Këta janë heronjtë e lirisë. Këta janë e vërteta e historisë së krimit komunist. Politika gjatë 32 viteve po përpiqet të shkombëtarizojë kujtesën e krimit komunist dhe të paraqesë si autorë të ndryshimit të sistemit politik xhelatët dhe bijtë e xhelatëve”, tha zoti Ndregjoni.

Spaçi ishte një nga burgjet më të egra të diktaturës, ku të burgosurit politikë, detyroheshin për shumë vite të punonin në minierë për të nxjerrë mineral në kushte çnjerëzore.

Në vitin 1973 atje shpërtheu një revoltë me thirrjet “Poshtë Komunizmi”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Protuestuesit, edhe pse të burgosur, ngritën flamurin kombëtar pa yllin komunist mbi shqiponjë, të cilën e pikturuan vet ata.

Revolta u shtyp me dhunë të pashembullt nga diktatura, duke pushkatuar 4 prej protestuesve, duke ridënuar 80 të tjerë, pas torturash të rënda gjatë hetuesisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: