TIRANË

Komisioni i Përhershëm në PD pritet të mblidhet mesditën e sotme për të shqyrtuar propozimet e depozituara për ndryshimet në statutin e partisë.

“Të mërkurën, datë 14.07.2021, orën 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Përhershëm Statutor, për të shprehur mendimin e tij për propozimet që do të vijnë deri të martën, datë 13.07.2021, nga anëtarë të Komisionit, anëtar të Kryesisë, Kryetari i Partisë, anëtar të Këshillit Kombëtar, apo strukturat lokale të Partisë”, njoftoi pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PD-së anëtarët e komisionit. Propozimet janë depozituar nga kreu i PD Lulzim Basha si edhe ish kandidatëve për postin e kryetarit të partisë Fatbardh Kadilli e Edith Harxhi.

Në propozimet e tij Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përfshin në kryesinë e partisë Kryetarin e Keshillit Kombëtar të demokrateve. Në 11 propozimet e kryetarit Basha për ndyshimin e statutit të PD-së parashikohet një kryesi më e zgjeruar, ku përvec kryetarit të Keshillit Kombetar, do të zenë vend edhe drejtues te disa strukturave të tjera, të cilët më parë nuk kanë qenë pjesë e këtij forumi të PD -së. Një tjetër propopzim i Lulzim Bashës është qe numri i sekretarëve të mos jetë i limituar, por të caktohet nga kryetari. Kryedemokrati propozon gjithashtu organizimin e Këshillit Kombëtar sipas departamenteve. Ndër të tjera Basha kërkon që kandidatët për kryetarë bashkish të propozohen nga kryetari i partisë, të caktohen nga kryesia dhe lista e plotë të miratohet nga këshilli kombëtar.

Sakaq Fatbardh Kadilli kërkon që manifesti i tij politik të bëhet pjesë e statutit të Partisë Demokratike. Sipas Kadillit, drejtuesit e cdo niveli të partisë duhet të votohen nga anëtarësia. Për Kadillin strukturat aktuale të PD-së janë të ngurta, ndaj është domosdoshmëri që ato të bëhen fleksibel, në mënyrë që partia të ketë mundësi të zgjerohet edhe më shumë. Një pikë ku anëtari i kryesisë së PD, ngul këmbë për ndryshim, lidhet me ndarjen e drejtimit politik të partisë, nga administrimi i saj.

Pas komisionit të përhershëm. demokratet pritet të mbledhin këtë të enjte kryesinë, ku do të shqyrtohet edhe draft statuti i ri i partisë demokratike, si edhe do të njihet me analizën e zgjedhjeve që është bërë në 12 qarqe dhe listën me kandidatët për Këshillin Kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb