Qindra mijëra vetë kanë kërkuar në “Marshimin e Lirisë” në Minsk dorëheqjen e presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko. Presidenti u përpoq të mobilizojë përkrahësit e tij.

Ishte një nga demonstratat më të mëdha të organizuara nga opozita. që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Më shumë se 100.000 vetë u grumbulluan në kryeqytetin Minsk të dielën. Edhe në qytete të tjera njerëzit dolën në rrugë të protestonin. Ata duan që presidenti që qeveris prej 26 vitesh Bjellorusinë të largohet. “Ne duam një vend pa Lukashenko” dëgjoheshin thirrjet e shumë demonstruesve. “Ik!”, “Vrasës!” dhe “Liri për të burgosurit politikë” ishin thirrjet e tjera. Në kolonën e demonstruesve marshonin disa grupe që mbanin flamujt e opozitës me shirita të bardhë e të kuq deri në 100 metra të gjatë. Ky flamur i nxjerrë nga përdorimi nga Lukashenko konsiderohet si simbol i opozitës së vendit europianolindor.

Si shenjë e protestave paqësore shumë përkrahës të opozitës mbanin veshje të bardha, lule dhe tullumbace. Tek mbështetësit e “Marshit të Lirisë” renditen edhe gazetarë të njohur të televizionit shtetëror, studiues, njerëz të biznesit e diplomatë të lartë.

“Bjellorusi e re”

Protestuesit iu përgjigjën thirrjes së kandidates opozitare të arratisur në Lituani, Svetlana Tichanovskaja, për protesta në fundjavë në të gjithë vendin. Ajo bëri të ditur themelimin e një komiteti që do të përgatisë ndërrimin e qeverisë në Bjellorusi. Maria Kolesnikova, një nga drejtueset e opozitës në Minsk tha para demonstruesve, se “26 vite makth duhet të marrin fund”. Kolesnikova kishte punuar ngushtë me kandidaten e opozitës gjatë fushatës zgjedhore. Në mbrëmjen e së dielës u grumbulluan në Minsk sërish disa mijëra vetë që protestuan kundër Lukashenkos. “Ne besojmë, se po ngrihet një Bjellorusi e re”, thotë një demonstruese. Të tjerë shprehen, se nuk duan më të dëgjojnë gënjeshtrat e Lukashenkos dhe diktaturën.

Pavarësisht protestave masive në vend, presidenti Lukashenko lufton të qëndrojë në post. Ai u përpoq në një kundërdemonstratë të mobilizojë përkrahësit e tij. Punonjësit e administratës shtetërore u sollën me autobusë nga i gjithë vendi në kryeqytetin Minsk. Me rreth 10.000 vetë, Lukashenko grumbulloi shumë më pak njerëz në rrugë. “Më shumë se 80% e votave nuk mund të gënjejnë”, tha Lukashenko para demonstruesve duke iu referuar zgjedhjeve të së dielës javën e kaluar. Ai theksoi, se nuk do t’ia “dorëzojë” vendin opozitës./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb