E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Mimoza Hajdarmataj nga SHSSH ka folur për dëmshpërblimet e aksidenteve nga kompanitë e sigurimit dhe problemin e kopsitjes së dosjes së hetimit nga Policia Rrugore.

“Është e vërtetë që situata me aksidentet në Shqipëri gati i përngjan një “arene lufte”. Duke lënë mënjanë dëmet materiale dhe duke u marrë me anën shëndetësore, Shqipëria renditet lart në statistika në raport me vendet e tjera. Ka ardhur koha që qeveria të lancojë një strategji kombëtare për të gjithë aktorët e përfshirë që të kontribuojë në uljen e shifrave të aksidenteve. Kompanitë e sigurimeve, kontrata e sigurimit të automjetit ka të përcaktuar edhe se sa është dëmshpërblimi dhe të gjithë klientët marrin udhëzimet se si të drejtohen në rast të një dëmi, të përfundimit të dosjes. Përveç statistikave të dëmeve pezull, duhet bërë një analizë e plotë e tregut të sigurimeve, numrit të kontratave, sa janë dëmet e shkaktuara. Bëhet analizë nga AMF edhe kompanitë e sigurimit për dëmet e mbetura pezull. Shoqata e siguruesve është shoqatë që përfaqëson tregun në marrëdhëniet me të tretët dhe ka si mision informimin, edukimin, nuk merremi me një produkt, por në tërësi. Marketingu më i mirë për çdo kompani është pagesa e dëmeve. Kështu konsumatorët vlerësojnë pozitivisht kontratën që kanë nënshkruar me kompaninë e sigurimit. Tregu i sigurimeve është përballur me fenomenin e vlerësimit të dëmeve. Problemet e mbartuara dhe të vazhdueshme të kompanive të sigurimeve janë me Policinë Rrugore, në konceptin e përfaqësuesve të tyre që shkojnë në vendngjarje dhe kanë dosjen. Kur ndodh një aksident, sidomos i rëndë, në disa raste mund të mirëkuptohet ana emocionale e ngjarjes, por tregu i sigurimeve përballet me një seri problemesh në kopsitjen e dosjes së dëmit. Fotografimi i ngjarjes, të përplasjes, skicimi që përbën zanafillën e dosjes dhe që këtu çalon problemi, nga dosja hetimore dhe deri tek mbajtja e procesverbalit të policisë. Ka raste të rëndomta që ka një anshmëri që mban polici prezent aty në konstatimin apo mosndarjes së përgjegjësisë së dëmit. Në rastet edhe të makinave luksoze që ecin me shpejtësi të lartë, ka situata që policia nuk ndihmon rastin për të vendosur fajtorin”-deklaroi Mimoza Hajdarmataj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb