Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka uruar suksese në zgjedhje Vjosa Osmanit. Teksa është pyetur nga gazetarët në lidhje me faktin nëse largimi i Osmanit do të dëmtonte rezultatin, ai theksoi se vendimi do të jetë i qytetarëve kosovarë.
“Sa i përket koalicioneve, nuk do të bëjmë koalicione me asnjë subjekt politik përveç asaj se si LDK mbesim të hapur që në listën tonë mund të hyjnë përfaqësues të ndonjë subjekti të vogël politik. Dëshiroj t’i uroj suksese zonjës Osmani meqë hyn në një garë vetë dhe rezultatet në fund do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Mustafa është pyetur edhe për largimet e zyrtarëve nga degët dhe nëndegët e LDK-së që po i bashkohen listës së Vjosa Osmanit, ndërsa ka thënë se nuk i minimizon largimet.
“Nuk e minimizoj. Nuk e shpalli të pavlefshëm asnjë largim, pasi që çdo njeri që deri dje ka qenë në LDK, ka qenë me LDK-në dhe i ka kontribuar LDK-së. Në qoftë se ata njerëz mendojnë që nuk kanë më asgjë që t’i japin LDK-së dhe dëshirojnë që të provojnë t’u japin subjekteve tjera, është në të drejtën e tyre që ata të vendosin që të largohen dhe t’i bashkëngjiten listës së zonjës Vjosa Osmani”, -tha Mustafa.
Megjithatë, nga zyrtarët e larguar nga LDK-ja, Mustafa tha se nuk ka parë ndonjë që, siç tha, “mund t’i japin Kosovës” diçka. Ai tha se largimet e tyre nuk paraqesin humbje për LDK-në.
(BalkanWeb)