Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se është dëmtuar me grafiti memoriali në hyrje të Bllokut në Tiranë, që simbolizon terrorin komunist në vendin tonë.

Godole thekson se Bashkia Tiranë duhet të shikojë me kujdes sigurinë e këtyre memorialëve mjaft me rëndësi për Shqipërinë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i plotë i Jonila Godoles:

Dëmtohet me grafiti memoriali në hyrje të Bllokut në Tiranë.

„Postblloku“ shqiptar është si Checkpoint-Charlie në Berlin, të cilin askush nuk do guxonte ta prekte.

Ai simbolizon terrorin e regjimit komunist dhe është vendosur në kopshtin e vilës ku ka jetuar dikur Mehmet Shehu.

Në Shqipëri ka mbi 700 mijë lapidarë të LANÇ dhe shumë pak memoriale në kujtim të viktimave të regjimit 45-vjeçar. Edhe ato pak që janë ngritur rrezikohen përditë. Politikat e kujtesës dhe trashëgimisë kulturore janë selektive, në varësi të linjës partiake.

Postblloku, vepër e publicistit Fatos Lubonja dhe artistit @ArdianIsufi u inaugurua më 26 Mars 2013. Ai përbëhet nga një bunker, disa shtylla betoni nga Kampi famëkeq i Spaçit, ku Lubonja ka kaluar shumë vite i burgosur, si dhe një fragment nga Muri i Berlinit, që iu dhurua Tiranës nga Bashkia e Berlinit.

Nuk dua ta besoj se dëmtimi i memorialit ka sfond politik meqenëse u krye gjate ditëve të fundit para zgjedhjeve!!!

Bashkia Tiranë duhet ta shohë me prioritet sigurinë e këtyre memorialeve dhe restaurimin e tyre, siç bën për projektet e tjera që kane vulën e „Rilindjes“.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb