VLORË

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bizneseve, në Drrejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësimit, ku u diskutua për përfitimet nga programet e nxitjes së punësimit dhe ndërmjetësimit.

Gjatë këtij takimi, ministrja u shpreh se, janë tre skema për nxitjen e punësimit.

“Janë tre skema të nxitjes së punësimit, të cilat stimulojnë me gati 50%, marrëdhënien kontraktuale të punës mes individit dhe punëdhënësit. Skema e parë dhe skema e dytë, përfshin personat që do të kthehen në tregun e punës, pasi janë larguar nga situata e mbylljes ekonomike. Gjithashtu, kemi një skemë të tretë, ku personat që janë informalë për 12 muaj, u paguhet dhe subvencionohet pjesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, si punëdhënësit, por edhe punëmarrësit”, nënvizoi Denaj.

Këto tre skema nxitjeje menaxhohen nga zyrat e AKPA-s, e cila në mbështetje të punësimit, ka përfshirë gjithashtu edhe arsimin profesional, ku në qarkun e Vlorës janë dy shkolla; “Shkolla Tregtare” dhe “Pavarësia”.

Sipas ministres, janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël.
“Janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël: tatim fitim 0, rritja e pragut të TVSH-së dhe skemat e nxitjes së punësimit. Këto janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike, ku për biznesin e vogël dhe qytetin e Vlorës impakti do të jetë absolutisht i madh”, theksoi Denaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb