Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,  Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në Zyrën e Punës në Elbasan, ku në bashkëpunim me projektin “Risi Albania”, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, po zbatohet metodika për Analizën e Tregut të Punës dhe Bashkëpunimit me Biznesin. Zbatimi i kësaj metodike ka siguruar rritjen e ofertave te punes dhe rritjen e punësimit si rezultat i përmirësimit te performancës së shërbimeve te punesimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

“Ne jemi në shërbim të biznesit dhe gjithë përpjekja gjatë 7 viteve të qeverisjes ka qenë të përmirësojmë më tej këto shërbime, jo vetëm në aspektin e një infrastrukture të përshtatshme, por mbi të gjitha të metodologjive, kurrikulave që do të ndërlidhin si arsimin profesional, qendrat e formimit profesional, ashtu edhe shërbimin në zyrat e punës në përshtatshmëri të plotë me kërkesat dhe nevojat e bizneseve”, tha Denaj.

Ministrja gjithashtu kërkoi nga bizneset që të aplikojnë për të përfituar nga paketat që ka ofruar qeveria shqiptare për nxitjen e punësimit dhe rikthimin në punë të personave që e kanë humbur për shkak të pandemisë dhe ende nuk janë kthyer, kjo si një mbështetje për të rritur konsumin dhe rigjallëruar ekonominë.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z.Gledian Llatja vlerësoi, se “e gjithë puna që po bën Zyra e Elbasanit është një punë shumë e mirë. Jo vetëm për gjetjen e punës për punëkërkuesit, por edhe për orientimin e hapjeve të kurseve të reja sipas nevojës që kërkojnë bizneset”.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), znj.Elira Demiraj, nga ana e saj nënvizoi, se edhe në kushtet e distancimit fizik Zyrat e Punës vijojnë t’i shërbejnë një numri të madh qytetarësh. “Numri relativisht është rritur dhe në të njëjtën kohë kemi pasur edhe punësime. Ky ka qenë një element shumë i mirë për të rritur edhe besimin që ekonomia po vazhdon, kemi ende vende pune të shpallura, kërkesa për punonjës dhe ka goxha plotësime nga Zyra e Elbasanit për një numër të konsiderueshëm punësimesh”.

Ndërsa Zëvendëskreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, në Shqipëri, z.Patrik Meier, i shoqëruar edhe nga Edlira Muedini, Menaxhere e Projektit RisiAlbania, vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga kjo zyrë pune, e cila nëpërmjet asistencës së marrë nga projekti po përfton të gjithë instrumentet e duhura për të pasur, jo vetëm një analizë të dhënash, por edhe për t’i vendosur ato në shërbim të përmirësimit të marrëdhënieve mes punëkërkuesve dhe bizneseve që ofrojnë punë.

Kjo metodikë, rregullon të gjithë ciklin e bashkëpunimit të zyrës së punësimit me biznesin, dhe do të jetë së shpejti e unifikuar për të gjithë zyrat e punësimit.

Që prej fillimit të pilotimit, në zonën e Elbasanit është arritur
-Punësimi i 281 punëkërkuesve të papunë;
-187 bizneseve u janë ofruar shërbime të përmirësuar
-12 anëtarë të personelit të Zyrës së Punës Elbasan janë trajnuar për aplikimin e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: