Pas lajmit të bërë publik sot në lidhje me dënimin e dy qytetarëve britanike dhe një marokeni, me akuzën se kanë shërbyer si mercenarë për llogari të ushtrisë ukraianse, ka reaguar qeveria britanike.

Një zyrtare e lartë ka bërë me dije se ekzekutivi britanik është duke ushtruar presion ndaj Moskës.

“Jemi duke bërë presionin më të fortë të mundshëm mbi qeverinë ruse”, është shprehur Therese Coffey, sekretarja e punës dhe pensioneve, për BBC.

Më parë, Sekretarja e Jashtme Liz Truss i cilësoi dënimet e Aiden Aslin, 28-vjeç, dhe Shaun Pinner, 48-vjeç, së bashku me Saaudun Brahim nga Maroku, si një “gjykim të rremë pa asnjë legjitimitet”, duke shtuar se qeveria po bënte gjithçka që mundej për të mbështetur familjarët e dy britanikëve.

Më parë gjatë ditës, zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se të burgosurit e luftës nuk duhet të përdoren për qëllime politike.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se të burgosurit e luftës nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike. Sipas Konventës së Gjenevës, të burgosurit e luftës kanë të drejtën e imunitetit luftarak dhe ata nuk duhet të ndiqen penalisht për pjesëmarrje në armiqësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet ukrainase për të siguruar lirimin e çdo shtetasi britanik që shërbente në Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe që po mbahen si robër lufte”, tha ai.

Familjarët e britanikëve të dënuar pretendojnë se ata nuk ishin mercenarë, por ushtarë të rregullt të ushtrisë së Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb