ANGLI- Drejtësia angleze ka dënuar me 7 vite burg një shofer që në gjendje të dehur aksidentoi një këmbësor e më pas u largua me shpejtësi. Ngjarja ka ndodhur në Londër më 1 mars kur afrikani Tawanda Marau po drejtonte mjetin me shpejtësi rreth 82 kilometra në orë duke goditur 25-vjeçarin Agron Gashi, të cilin e hodhi disa metra tutje.

Ai iku nga vendi i ngjarjes duke i hequr edhe targat makinës së tij ndërsa pas hetimeve policia arriti ta identifikojë dhe më pas ta arrestojë. Marau u dënua me 7 vjet burg dhe me 9 vjet e gjysmë heqje të drejte për të drejtuar makinën.

Nëna e viktimës, Shehidja, u ka thënë mediave britanike se vdekja e djalit të saj, me të cilin kishin ardhur si refugjatë kur ai ishte 7 vjeç, e ka “prerë në gjysmë”. “Na mungon Agroni shumë, të dy motrat e tij janë shumë të mërzitura dhe nuk mund të besojnë se ai nuk do të kthehet”, deklaroi ajo.

“Vajza ime 9 vjeçe frikësohet që të dalë në rrugë. Edhe pse ai u deklarua fajtor, kjo nuk na e lehtëson dhimbjen. Ai nuk shfaqi asnjë pendim në kohën kur ndodhi. U largua nga vendi i ngjarjes pa shprehur keqardhje për djalin tonë”, shtoi Shehidja.

“Gjithmonë mundohem që t’i sjell fëmijët e mi në rrugën e duhur, por ajo e cila mundohesha që të mos bëhej djali im, e mbyti atë”, tha mes tjerash nëna e Agronit. Marau kishte pranuar fajin dhe kështu kishte shpëtuar me dënim më të lehtë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb