ZVICER- Shumë nga të huajt të cilët dënohen për vepra të ndryshme penale, frikën më të madhe sesa burgu, kanë masën e dëbimit në vendin e prejardhjes, që u shqiptohet paralelisht. Por, një kosovar 21-vjeçar, duket se bën përjashtim.

“Unë kam shkuar drejt rrugës së gabuar. Tashmë dua që të shkoj në vendlindje dhe të filloj jetën nga e para. Dua të kthehem në Kosovë, dhe për këtë arsye e kam kërkuar vetë dëbimin nga Zvicra. Më kanë ardhur në maje të hundës shtëpitë e strehimit”, pohon i riu në gjykatë.

Siç shkruan Luzerner Zeitung, kosovari që banon në kantonin e Schwyz, është dënuar me 36 muaj burg për vepra të ndryshme, kryesisht vjedhje në makina të sendeve dhe parave. Ai është rritur kryesisht nëpër shtëpi strehimi ndërsa gjatë vitit 2015 ka vjedhur në disa raste nëpër garazhe në lokalitete të ndryshme të Kantonit të Cyrihut, përcjell albinfo.ch. Po ashtu, mësohet se ai hynte në garazhe dhe nga makina e merrte prej portofola, letërnjoftime, kartela krediti dhe sende tjera me vlerë. Me kartela pastaj provonte të nxirrte para nga automatet bankare pasi që ua gjente kodet përkatëse në kuletat e vjedhura. Në këtë mënyrë ai ia ka dalë që të përvetësojë mbi 4300 franga nga llogaritë e huaja.

Gjykata Penale e dënoi atë me heqje lirie 36 muaj dhe një gjobë prej 3000 frangash. Pas vuajtjes së dënimit, ai, ashtu siç dhe ka shprehur dëshirën, do të dëbohet. Megjithatë i riu ka shpërthyer në zemërim kur e ka dëgjuar vendimin për dënim me burg!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb