Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari dënoi sot nga sala e Kuvendit atë që po ndodh me numrin e viktimave të pandemisë, ku dy forcat kryesore politike siç tha ajo po zihen, pasi njëra thotë se ka më shumë viktima dhe tjetra i mohon.

Hajdari tha se ka ardhur koha që politika të ngrihet në nivelin që i takon dhe të mendojë për qytetarët.

“Pandemia po bën namin. Jo vetëm njohim dikë që e ka kaluar, por njohim edhe dikë që ka humbur jetën. Kjo është një situatë që kërkon të kemi përgjegjësi të larta njerëzore dhe të zhvishemi nga kostumi politik.

Dua të dënoj atë çfarë po bëhet me numrin e vdekjeve. Nga njëra anë kemi një palë që merret me pamjet në morg dhe nga ana tjetër kemi këta që thonë se shëndetësia është pasuri kombëtare që po ecën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk mund ta përdorim këtë situatë për të bërë politikë, për të kapur një grusht votash. Duhet të ngrihemi në dinjitetin njerëzor, t’ju japim siguri, komunikim të sinqertë e transparent, s’mundet sot të qëllojmë njëri-tjetrin, të ndalim sherret. Sot duhet krijuar një lloj komiteti profesionistësh.

Ju bëj thirrje të mos vazhdojmë me retorika të ashpra, pasi votën e ndëshkimit ju do e merrni më 25 prill”,- tha Hajdari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb