Analisti Mentor Nazarko i ftuar në një lidhje live për rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka komentuar denoncimet e Petro Koçit për lidhjet e krimit të organizuar me financat publike në Fier.

Nazarko thotë se denoncimet e Koçit janë të besueshme, por deputeti nuk ka sqaruar ende disa pikëpyetje.

Për analistin, krimi i organizuar nuk privilegjon vetëm një parti, siç përmendi Koçi rastin e LSI, pasi zakonsisht i atashohet partive në pushtet.

Nazarko shpreson që SPAK të spastrojë këto lidhje në Fier, sipas të cilit nuk janë vetëm në këtë qytet, por dhe në shumë të tjera në Shqipëri.

 

MENTOR NAZARKO: Unë mendoj që denoncimi që bën z.Koçi pavarësisht motivimeve që e kanë shtyrë për të hyrë në fushën e lojës, është problem real. Unë kam dëgjuar se jo vetëm në Fier që grupe kriminale me rezonancë lokale, të legjitimuar apo për shkak të marrëdhënieve të privilegjuara me politikën, arrijnë të kontrollojë prokurimin publik apo lokal që zhvillohet atje.

Nuk jam njohës po them kaq i detajuar sa Koçi. Supozoj se ai është përpjekur  që të lëshojë mesazh me kode përveç dukurisë në fjalë.

Unë nuk besoj që krimi i organizuar privilegjon vetëm një parti, vetëm LSI. Nuk e kuptoj, pse ai e ndërlidh me LSI – këtë pikë duhet ta sqarojë. Unë mendoj që krimi i organizuar, me karakter lokal apo kombëtar i atashohet partive në pushtet. Ky është problem i madh, rrezik që i nënshtrohet partia që konfirmohet në mandatin e tretë. Veprimi i SPAK është veprim fiziologjik që pastron kanalet e funksionimit të ekonomisë publike dhe private. Pavarësisht motiveve të Koçit, interesi publik është të kemi një aksion apo veprim pastrues jo vetëm në Fier, por edhe më gjerë.

PYETJA: Pse nuk përmend emra z.Koçi?

MENTOR NAZARKO: Nuk e di pse. Duhet ta pyesim z.Koçi. Nuk di a është një eksperiencë, është një kompani që i është ankuar atij, dhe ai bën zëdhënësin. Apo jep mesazhe të koduara. Unë nisem nga një premisë që një pushtet i cili nuk ndryshon, nuk i nënshtrohet rotacionit është i prirur të kriminalizohet. Denoncimi është i besueshëm.

Kur shkon puna tek rasti konkret, mospërmendja e emrave mund të jetë një taktikë e sugjeruar, përpjekje për ti mbrojtur personat. Nuk di detajet. Nisem nga këndvështrimi i interesit publik. Duhet adresuar, të shpresojmë mos ngelet vetëm në Fier, por edhe më gjerë. Vetëm kështu do kishim një shans që ky mandat i tretë i PS të zhvillohej, të niste në drejtimin e duhur. PS ka gjithë pushtetin lokal ndërkohë.

PYETJA: Sa mendoni që SPAK do i shkojë  deri në fund aksioneve të herëpashershme?

MENTOR NAZARKO: Nënvizuat një moment realistik. SPAK është një institucion, i cili hë për hë duket që gëzon një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, është krijesë e tyre. Ambasadorja e SHBA edhe pse ishte e angazhuar në një aktivitet me karakter muzikor apo për turizmin, gjeti kohë të flasë për sukseset e SPAK.Mund të provokohen suksese të SPAK, jo vetëm nga jashtë, por dhe nga brenda, sepse suksesi i SPAK është moment modernizues i ngrehinës sonë institucionale. Mund të ketë sukses.

Ju përmendët sesa mbështetje ka patur skuadra e prokurorëve të Sicilisë në fund të viteve 80-90.

Duhet të bëjmë një saktësim, po flasim për Siçilinë e dikurshme, se sot Siçilia dhe Palermo kanë ndryshuar . E kam vizituar vitin e kaluar dhe pata mundësinë të kontaktoja me kryebashkiakun aktual që ka fituar me rezultate tenistike dhe e ka bërë Palermon si Mekë të turismit dhe investimeve të huaja. Prekët atë që është problem real. A është shoqëria jonë e emancipuar, sa të krijojë atë kordon mbështetje që SPAK të jetë i suksesshëm ? Mendoj se po, shoqëria po : ka brenda shoqërisë sonë besim për SPAK ; ka grupime në shoqëri që ia ofrojnë mbështetjen. S’mund te them për partitë politike, sepse SPAK prish statu-quo- në, lidhjet kriminale, interesat mafioze. Besoj që kemi arritur në pikën që apo fazën e emancipimit shoqëror që SPAK edhe nëpërmjet komunikimit, të  inxhinierojë sukseset dhe të krijojë një valë simpatie. Më pas të godasë peshqit e mëdhenj qoftë me apo pa ndihmën e peshkatarëve amerikanë për të bërë atë pastrimin e nevojshëm periodik apo të perhershëm që modernizon shoqeritë dhe shtetin.

(BalkanWeb)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb