Një dëshmi konkrete lidhur me fenomenin e mashtrimit që u bëhet lojtarëve të huaj vjen nga një zyrtar klubi. Bëhet fjalë për shefin e klubit të Domosdovës, Ardit Facja, i cili tregon eksperiencën e tij se si funksionon e gjithë kjo skemë mashtrimi. Madje, në disa raste, nuk bëhet fjalë fare për futbollistë, por për emigrantë që shfrytëzojnë këtë mundësi për të ardhur në Shqipëri dhe, më pas, të transferohen në vende të ndryshme në Europë.

Rrëfimi
I ri në moshë, por me një pozicion të rëndësishëm mbi supe, Ardit Facja thotë se skemën e mashtrimit me lojtarët e huaj e ka kuptuar shpejt. “Mund t’u tregoj bisedat e mia në ‘Facebook’ me disa menaxherë të huaj, të cilët më kontaktojnë vetë pasi shohin të dhënat e mia dhe mësojnë se drejtoj një ekip futbolli në Shqipëri. Më ofrojnë lojtarë cilësorë, të fortë, që do të më shërbejnë shumë në skuadër.

Ka raste që edhe më luten për t’i marrë këta futbollistë duke më dërguar të dhënat e tyre që unë të bëj një ftesë te zyra e Emigracionit që futbollistët të kenë mundësinë e marrjes së vizës. Më ofrojnë para parapagim me raste vetëm e vetëm që t’i pranoj futbollistët që më ofrojnë. Në raste të tilla, me siguri që menaxherët u marrin parapagim lojtarëve para së t’i nisin duke u premtuar gjëra që unë as që jua kam thënë. Por, me këtë skemë mashtrimi, këta pseudomenaxherë fitojnë para”, tregon Facja eksperiencën e tij dhe atë çfarë ka hasur gjatë kësaj periudhe.

“E mendoj si një problem serioz këtë fenomen, pasi kështu po merren në qafë shumë futbollistë me ngjyrë. Kjo ndodh, pasi mua si drejtues klubi kur një menaxher më ofron lojtarë të mirë, të cilët m’i prezanton me video, nuk e kam problem t’u bëj ftesën dhe t’i marr në provë tek ekipi im. Mirëpo, në momentin që lojtarët rezultojnë një zhgënjim i madh dhe kërkon t’i kthesh mbrapsht, menaxherët zhduken dhe këta futbollistë mbeten rrugëve, si në rastin e Janotit te Sopoti.

Janot tadjong

Zakonisht, futbollistët e huaj hyjnë me viza 15- ditore në Shqipëri dhe, më pas, nëse qëndrojnë, iu rinovohen. Personalisht di raste futbollistësh të huaj që janë braktisur dhe nuk kanë as letra për të qëndruar në shtetin tonë. Zyra e Emigracionit duhet të bëjë diçka lidhur me këtë fenomen, i cili po përhapet shumë. Është kompetencë e kësaj zyre që ndaj këtij problemi të merren masa dhe të frenohet sa më shpejt kjo që po ndodh në futbollin shqiptar”, përfundoi prononcimin e tij shefi i klubit të Domosdovës, Ardit Facja.

Të huajt
Ekipi i Pogradecit ka dy futbollistë të huaj me ngjyrë në skuadër. Cheikh Conte dhe Mouss Bangoura janë dy lojtarë me origjinë nga Guinea, që u janë bashkuar pogradecarëve me anë të menaxherëve të huaj që sjellin futbollistë në Shqipëri. Ndryshe nga rastet mjerane të futbollistëve të huaj në Shqipëri, dy të huajt e Pogradecit kanë një përgatitje deri diku të mirë dhe kanë qenë të vlefshëm për skuadrën, duke u paguar jo më shumë se 300 dollarë dhe duke jetuar mirë në Pogradec. Përveç rasteve mjerane që rezultojnë te disa futbollistë të huaj të ardhur, ka edhe lojtarë të tjerë që kanë qenë të suksesshëm në ekipet shqiptare./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: