Bashkia e Durrësit ka reaguar ndaj një denoncimi të kryetarit të PD në këtë qytet, Ferdinand Xhaferrit se një pallat në lagjen nr.1 në mënyrë korruptive është klasifikuar DS3, dhe pse nuk ka dëme fare, pasi aty banojnë zyrtarë bashkiakë që kanë përfituar deri në 5 milionë lekë.

Bashkia e drejtuar nga e komanduara Emiriana Sako e ka konsideruar këtë denoncim si baltën e radhës së Xhaferrit.

Si përgjigje Bashkia ka publikuar foto nga ky pallat duke theksuar se ka pasur dëme ka çarje të kolonave dhe lidhjeve të kolonave me kornizën bazë si dhe në lidhjet e mureve të bashkuar dhe shufra të dala jashtë kolonave.

Bashkia siguron se akt konstatimi i këtij pallati është bërë më 12 dhjetor, dhe dëmet janë verifikuar fillimisht nga ekspertë nga qyteti i Elbasanit dhe më pas nga ekspertë ndërkombëtarë, saktësisht të ardhur nga Qipro.

 

 

 

REAGIMI NGA BASHKIA DURRËS

Kryetari i PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferri ka vijuar me baltën e rradhës në deklaratat e tij publike. Në shpifjet e tij që tashmë janë rutinë Xhaferri ka deklaruar se një pallat në lagjen 1 është klasifikuar DS3 në mënyrë korruptive, sepse te ky pallat sipas tij nuk ka dëme.

 

Xhaferri dhe opozita që shpifin përditë nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie ndaj qytetarëve të Durrësit ndaj kjo i jep atyre mundësinë të hedhin baltë sa të munden dhe të bëjnë politikë edhe duke përdorur një fatkeqësi siç ishte tërmeti.

 

Janë institucionet e shtetit ato që kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve ndaj edhe Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se:

 

-Akti i konstatimit të dëmeve të këtij pallati është hartuar në 12 dhjetor 2019, në një kohë kur gjithçka ishte fokusuar tek evidentimi i dëmeve ndërsa vendimmarrja për grantet është vendosur në vitin 2020.

 

-Ky akt konstatimi është hartuar nga ekspertë të ardhur nga qyteti i Elbasanit, dihet që në Durrës në periudhën pas tërmetit erdhën ekspertë nga gjithë Shqipëria si dhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë kryer një punë voluminoze dhe shumë serioze. Ekspertët nga Elbasani sigurisht nuk i njihnin banorët e këtij pallati apo edhe të pallateve të tjera që kanë kryer ekspertiza. Në 12 dhjetor i gjithë shteti ishte në punë për evidentimin e dëmeve dhe sistemimin e banorëve ndërkohë që vendimet për grantet do të merreshin më vonë.

 

-Në aktin e konstatimit pallati është klasifikuar me shkallë dëmi DS3 dhe në këtë akt konstatimi ekspertët shkruajnë se në këtë pallat ka çarje të kolonave dhe lidhjeve të kolonave me kornizën bazë si dhe në lidhjet e mureve të bashkuar. Po kështu ekspertët që janë inxhinierë kanë konstatuar edhe shufra të dala jashtë kolonave. Këto dëme janë konstatuar edhe nga inxhinierët qipriotë që kanë shkuar për të parë të njëjtin pallat. Ekspertët i kanë dokumentuar dëmet me shkrim dhe me foto dhe kanë firmosur një akt ekspertimi i cili është i vlefshëm për godinën. Le ti hedhë “inxhinier” Xhaferri një sy fotove të akt konstatimit se ndoshta edhe kupton ndonjë gjë për shkallën e vërtetë të dëmtimit të këtij pallati.

 

Bashkia e Durrësit nuk i ndan qytetarët në të majtë apo të djathtë por i shikon ata të gjithë njësoj përballë kësaj fatkeqësie që na ka goditur dhe kjo bashki ka punuar, punon dhe do të vijojë të punojë në maksimum në shërbim të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim për riparimin dhe rindërtimin e banesave të tyre dhe rikthimin e qytetit në normalitet.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb