Deputeti i PD Edi Paloka ka denoncuar sot në News24 Ulsi Manjën dhe Pjerin Ndreun, duke thënë se po kontaktojnë me njerëz me rekorde kriminale dhe po u kërkojnë që të angazhohen në fushatën e PS.

Ai tha se ministri i Drejtësisë ka kontaktuar me persona me rekorde kriminale dhe i ka kërcënuar indirekt duke u kërkuar që të përshihen në fushatën e PS për mbledhje votash. Sipas tij kjo po ndodh në qarkun e Lezhës, dhe se në ditët në vijim do të ketë edhe materiale të tjera lidhur me këtë denoncim.

“Dje kam marrë informacion se në qarkun e Lezhës, vetë ministri i drejtësisë kontakton, i japin telefonin nuk merr me telefonin e tij, dhe kontakton me persona me probleme penale në Shqipëri dhe jashtë dhe i kërcënon indirekt ose ju ofron lehtësira nëse ata do angazhohen në fushatë për PS. Kjo është jo vetëm shkelje të kodit, por kemi të bëjmë me krim.

Një ministër u lë të kuptohen se nëse nuk do angazhohen në fushatë, këto probleme do u riaktivizohen. Këtë e bën ministri i drejtësie bashkë me Pjerin Ndreu. Këtë informacion e kam marrë nga njerëz të sigurt, në vazhdim do ketë edhe gjëra të tjera. Nuk dua të them më shumë, a janë të filmuara apo të regjistruara, por do dalin në ditët në vijim”, u shpreh Paloka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb