TIRANE- Nesim Spahiu, kryetari i bashkisë së Skraparit në një deklaratë nga selia e LSI-së, pasi përfaqëson këtë parti, ka denoncuar sjelljen e anëtarëve të Këshillit bashkiak të PS se këta të fundit kanë bllokuar ndihmën ekonomike. Teksa qëndronte përkrah deputetit të LSI-së për Skaparin, Nasip Naço, Spahiu u bëri thirrje socialistëve që të zhbllokojnë situatën, dhe të marrin pjesë në mbledhje.

“Bashkia Skrapar dënon veprimin e disa ditëve më parë të disa këshilltarëve të Subjektit Politik, PS. Mungesa e tyre në Mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Skrapar tregon papërgjegjshmërinë politike dhe qëllimin e tyre të vërtetë, varfërimin, përhapjen e problemeve dhe halleve më shumë për komunitetin.
Edhe përse të gjithë anëtarët e Këshillit ishin njoftuar më herët për këtë mbledhje, prezent ishin Kryetari i Këshillit dhe 5 anëtarë që u paraqitën ndërsa të tjerët i’u bindën urdhërave për bojkot “gjasme kundra projekt-vendimeve të Bashkisë”, por që në fakt ishin dhe mbeten kundër njerëzve të thjeshtë të Skraparit. 876 familje të paaftësisë do të mbeten pa të ardhura për veten dhe familjet e tyre për shkak të “këshillave” verbale të deputetit të Partisë Socialiste z.Adnor Shahmeti që u jep “këshilltarëve” të subjektit të tij. Po ashtu edhe 418 aplikantë të ndihmës ekonomike do mbeten pa të ardhura nga kjo mungesë e këshilltarëve duke treguar papërgjegjshmërinë morale ndaj komunitetit që ata përfaqësojnë. Bashkia Skrapar apelon tek këshilltarët e përgjegjshëm të subjektit politik PS të reflektojnë ndaj këtij “bojkoti-politik” pasi buka e gojës nuk pyet për ndasitë politike. Ata që mbeten më të ndëshkuar nga këto veprime, nuk janë Partitë apo Politikanë por vetë populli, që me votën e tij i zgjodhi për ti përfaqësuar dhe jo për ti lënë në fatin e disa njerëzve që nuk u shkon në mendje varfëria e këtij komuniteti, hallet e tyre por vetëm interesat e tyre vetjake dhe se si të parakalojnë mes hallexhinjve me makina luksoze pa e kthyer kokën nga ata”, tha Spahiu.

Ndërkohë, deputeti Naço akuzoi kolegun e tij të PS-së, Adnor Shameti se duhet të heq dorë nga presionet se ndihma ekonomike është dhuratë e tij.

“Dhe unë si deputet i zonës do doja të theksoja jo vetëm mbështetjen dhe solidaritetin ndaj Kryetarit të bashksië Skrapar, këshilltarëve të përgjegjshëm të Këshillit Bashkiak, si dhe ndaj të gjithë atyre familjarëve të cilëve për shkak të papërgjegjshmërisë politike të këshilltarëve të Partisë Socialiste, të dirigjuar dhe orkestruar nga deputeti i Rilindjes, do duhet të vuajnë akoma më shumë varfërinë dhe mjerimin e tyre. Qeveria nuk ka patur dhe nuk ka asnjë plan për zhvillimin e Skraparit, për hapjen e vendeve të reja të punës, për luftën ndaj varfërisë, duke i lënë skrapalinjtë, dhe jo vetëm ata, alternativën e vetme, atë të largimit nga Shqipëria. Unë do doja që deputeti i zonës Adnor Shameti të heqi dorë nga veprimet e tij meskine dhe së bashku me të gjithë deputetët e Qarkut të bëhet zgjidhja e problemit, dhe jo problemi vetë. Ai duhet të heqi dorë nga presionet se ndihma ekonomike është dhuratë e tij. Ai duhet ta kuptojë se presioni me ndihmën ekonomike dhe të KEMP-it, nuk do ti sjellë votat e munguara RIlindjes prej vitesh në Skrapar. Deklarimet e tij se do jetë prezent në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për tu bërë të qartë se KEMP-I dhe përkrahja sociale janë dhuratë e këtij deputeti delirant. Janë jo pak, por rreth 876 familje, përfituese të paaftësisë së përkohshme, të cilat do të mbeten pa të ardhura, duke bërë që ata t’i drejtohen listave të dyqaneve dhe duke u lënë si rrugë të vetme braktisjen dhe largimin jo vetëm nga Skrapari, por dhe nga Shqipëria. E njëjta situatë është dhe për 418 aplikantë të rinj të ndihmës ekonomike, të cilët do mbeten pa të ardhura, vetëm për shkak të mungesës së këshilltarëve të Rilindjes në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Qëllimi i deputetit të Rilindjes është i qartë: sa më të varfër të jenë njerëzit, aq më e lehtë është që përkundrejt varfërisë tu blejë votën e tyre. Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi skrapallinjtë, janë të varfër, por janë krenarë dhe nuk mund të shiten dhe blihen. Koha e ka vërtetuar.”, pohoi Naco.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: