TIRANË- Ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, vjen denoncimi i parë nga Partia Demokratike për blerjen e votës. Deputetja demokrate e Korçës Eleina Qirici denoncon tentativat nga strukturat politike për blerje vote.

Në faqen e saj të “Facebook”, Qirici iu bën thirrje banorëve të qarkut të Korçës të mos negociojnë me votën kundrej shumave monetare qesharake. Ajo thekson se vota nuk shitet e as nuk do të blihet.

Kujtojmë se pak ditë më parë parlamenti votoi ligjin që ashpërson masat për shitjen e votës, një pikë kjo e marrëveshjes Rama-Basha.

STATUSI I DEPUTETES QIRICI
Një banor i Qarkut Korçë më informon për tentativë nga një strukturë politike për blerje vote, në disa zona rurale të Qarkut.

U bëj thirrje banorëve të Qarkut Korçë që të mos negociojnë me votën, kundrejt një shumë monetare qesharake. Vota nuk shitet, as nuk do të lejojmë të blihet.

Vota është dhe duhet të konsiderohet e shenjtë, shprehje e vullnetit politik të gjithkujt, për forcën politike që bind gjithsecilin se ofron strategjinë më të mirë për zhvillim social-ekonomik të vendit.
Do të jemi më të bashkuar se kurrë në betejë të hapur kundër fenomenit të shit-blerjes së votës. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, pa dallim!

U bëj thirrje forcave politike të kontribuojmë së bashku për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa nëpërkëmbur dinjitetin e votuesve dhe pa shfrytëzuar në mënyrë të turpshme varfërinë e një pjese të tyre.
#ZgjedhjeTëLira
#StopBlerjesSëVotës
#MeLulzimBashën

Qirici fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb