Disa herë kishte kërkuar që të mund të merrte nënshtetësinë italiane, ishte e dëshpëruar pasi në lejen e qëndrimit i ishte hequr statusi pa shtetësi dhe tregohej shtetësia shqiptare. Të shtunën e kaluar ajo u vetëvra duke u hedhur nga një mbikalim hekurudhor: kështu vdiq Adelina Sejdini, një ish-prostitutë e lindur në Durrës, e cila pati guximin të arrestonte shfrytëzuesit e saj.

Falë zbulimeve të saj 40 persona u arrestuan dhe 80 të tjerë u denoncuan, të gjithë i përkisnin mafies shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në të gjithë Italinë. Më 3 nëntor ajo ishte e ftuar në “L’aria che tira” në stacionin La7, ku kishte deklaruar: “Nëse kthehem në Shqipëri jam një grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që çova në arrestim”.

Sejdini, 46 vjeç, jetonte në Pavia dhe ishte e sëmurë me kancer me shtrime të shpeshta në spital në San Matteo. Pasi u arratis nga shfrytëzuesit e saj, ajo denoncoi organizatën dhe në vitet në vijim ajo punoi gjithashtu përkrah City Angels për të ndihmuar prostitutat e reja viktima të shantazhit për t’u çliruar nga ajo skllavëri. Nuk e donte më shtetësinë shqiptare, vendi që la në vitin 1996 kur mbërriti në Itali në moshën 22-vjeçare. Megjithatë, me rastin e rinovimit të fundit të lejes së qëndrimit, asaj nuk iu dha më statusi si pa shtetësi. “Jo vetëm kaq, shkruhet që unë punoj. Për pasojë nuk mund të kem më përfitimet dhe pensionin e invaliditetit që më duhen për të jetuar”, tha Sejdini. Nga ana tjetër, një komision mjekësor e kishte njohur atë si 100% invalide.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në gjendjen e saj të re ajo kishte hasur në vështirësi të mëdha për t’iu caktuar një shtëpi komune. Për të protestuar kundër burokracisë, në fund të tetorit ajo kishte vendosur të shkonte në Romë, pavarësisht shëndetit të dobët, me shpresën se do të mund të takohej me Presidentin e Republikës Sergio Mattarella ose të paktën disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Më pas më 28 tetor ajo i vuri flakën vetes dhe pas ndihmës së shpejtë u transportua në spitalin Santo Spirito me djegie të rënda, por arriti të shpëtonte.

“Kam aplikuar për një shtëpi komune, por tani ta harroj. Dokumentet nuk përputhen më. Dhe nuk mund ta pranoj nënshtetësinë shqiptare, që nga momenti që ma kanë shkruar kam makthe. Më mirë do të vrisja veten”, tha ajo.

Me urdhër të autoriteteve, pasi u pranua në kryeqytet, ajo do duhej të kthehej në Pavia, ku po trajtohej dhe kishte përfunduar gjithashtu në terapi intensive. Por Adelina Sejdini nga Roma nuk u kthye më dhe të shtunën e kaluar u hodh nga një mbikalim hekurudhor. Po vijojnë hetimet për tragjedinë nga policia hekurudhore e Roma Termini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb