TIRANE– Infermieri që grisi bluzën e bardhë në shenjë revolte tek Poliklinika e Tiranës ishte i ftuar në emisionin “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko në ‘News24’. Frrok Bardhi ka thënë se veprimin e kreu në shenje proteste dhe revolte ndaj kushteve të këqija ku punon.

Frrok Bardhi tha se ka punuar si infermier për 30 vite, ndërsa askush nuk mund të tallet me bluzat e bardha. Më tej ai u shpreh se do të lërë punën nëse nuk ndryshojnë kushtet, pasi sipas tij në vendin ku ai qëndron nuk është poliklinikë por banjo.

Gjithashtu infermieri i poliklinikës Frrok Bardhi tha se ka marrë edhe kërcënime, por nuk do të largohet nga Shqipëria. Infermieri tha se pas ligjit të ri atë e caktuan tek poliklinika numër 9, por kur shkoi atje dikush i ka thënë se ajo kishte qenë banjo më përpara. Bardhi tha se nuk ka asgjë me Ilir Beqajn, por nuk mund të punojë në një gjysmë banjo.

“Nuk kam asgjë me Ilir Beqaj, pasi i kam qenë edhe në shtëpi kur kishte tezen sëmurë. Grisa bluzën në shenjë proteste. Kjo është bluza e cila ushqen fëmijët e mi dhe që i shërben fëmijëve të mi. Shkova si çdo ditë në Urgjencën e Tiranës dhe më caktuan në poliklinikën 9, pasi personeli është shpërndarë në 3 pika sipas rregullores së re. Por kur shkova atje një zonjë më tha se këtu ka qenë banjo më parë, nuk ja përmend emrin edhe nëse varem ne litar. Duhet të ketë një standard të ambulancave. Kur kam parë banjën aty nuk kam dashur të di çfarë bëhet më. Kam disa kolege ata durojnë aty, kurse unë jo. Unë nuk shkoj të punoj në një gjysmë banjo. Edhe të më bie plumbi ballit nuk shkoj. Nëse me vendosin në atë gjysmë banjo unë nuk shkoj, le të më pushojnë nga puna. Problemi është se janë marrë ambiente që janë të pafavorshme, pasi aty mund te qëndrojnë vetëm kafshët. Unë se marr vesh pse kanë frikë kolegët. Kam vrarë njeri, kam prerë njeri? Unë nuk di që kam vrarë njeri. Kam ndjerë presion, qoftë me njerëz me syze para-mbrapa.”- tha infermieri Frrok Bardhi.

Keni ndjerë presion?
Kam ndjerë presion. Në telefon. E kam marrë këtë rrugë, do e çoj deri në fund.

Kush ju ka bërë presion?
Ka organe të tjera që unë mund të dëshmoj.

Keni bërë denoncim?
Jo nuk kam pse të bëj denoncim. Kam pas disa kërcënime. Edhe sot tek lagjja ka pasur disa lëvizje, njerëz. Kanë dashur të më kapin për veshi, nëse e kupton.

Do vazhdoj punën, do bëj injeksione. Do vazhdoj punën time. Nuk iki jashtë shtetit, këtu do jetoj.

Disa portale kanë prekur edhe jetën tuaj personale…
Jeta ime personale është si për çdo njeri e shenjtë. Unë e di kush fshihet pas tyre. Nuk kanë asnjë lidhje me mua ato që fliten në portale. Nuk më bëjnë përshtypje fare.

Pavarësisht presioneve jeni i vendosur t’i shkoni deri në fund. Çfarë nënkuptoni ju? Thoni do ta vazhdoj punën por nuk do të vazhdoj aty ku keni bërë denoncimin tuaj…
Unë do të shkoj tek puna, tek urgjenca e Tiranës si çdo ditë tjetër. Në momentin që caktohem tek poliklinika 9 unë nuk do të shkoj. Do të shkoj në urgjencë. Nuk e kërkoj për veten time, por për të gjithë shokët e mi. Për të gjithë infermierët e mjekët e Shqipërisë. Janë njerëz që duan të punojnë me dinjitet.

Të gjitha pikat kështu janë, si poliklinika 9?
Ka 3 pika Tirana. Dyshoj se ministri nuk i di të gjitha gjërat siç janë. Dyshoj se e gënjejnë. Ndryshe thotë ai dhe ndryshe bëjnë ata poshtë tij

DEBATET
Pjesë e debatit të ashpër u bë edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ai hodhi poshtë pretendimet e infermierit Frrok Bardhi, ndërsa shtoi se Bardhi nuk po thotë të vërtetën.

Skender Brataj: Zoti Bardhi shkon të filmojë mjetet jashtë shërbimit. Kontrollin Tenkik të mjeteve e kemi bërë. Kemi nisur të bëjmë kolaudimin. Nga viti 2005 deri në 2011 nuk është bërë asnjë kolaudim. Sot po paguajmë faturat e 2011 të prapambetura. Këtu janë të gjitha mjetet që qarkullojnë në Tiranë.

Ndërhyn Frrok Bardhi: Mos mashtro ore zotëri.
Skender Brataj: Unë ju dëgjova, dhe nuk ju ndërprera. Mi sill pamjet, po të jap faturat, (i drejtohet gazetarit Erjon Skëndaj). Disa kanë kolaudimin, por arsyeja që po vazhdon ky proces është se kanë sigurime të prapambetura. Zgjidhja e parë ishte që personeli të shpërndahej. Por për tu ardhur në ndihmë kolegëve të mi, u dhamë ‘ok’. Ne kemi bërë një urdhër për qytetin e Tiranës, të cilat i kemi shpërndarë dhe do jenë shpërndarë në disa pika. Kjo është situatë e përkohshme. Asgjë nuk është statike. Zoti Bardhi është i lirë që të vendos si të dojë. Unë shkoj me makinën time në punë në gjithë Shqipërinë dhe s’kam asnjë makinë pune. Kam kërkuar dhe një cv time. Se the kam eksperiencë të gjatë. S’fole fare për qytetarin dhe njerëzit që ke shpëtuar. Unë kam ardhur në Shqipëri për të kontribuar.

Deputetja Albina Deda: Mos flisni në këtë gjuhë..
Skënder Brataj: Po si mos të flas me këtë gjuhë…
Frrok Bardhi: Këto që thotë sot i ka kopjuar nga mjekët e urgjencës. Kur kemi qenë vjet në emision si ka ditur fare.
Skënder Brataj: Si s’të vjen trup mor burrë…si mashtron.
Albina Deda: Ndihem e indinjuar dhe jo vetëm personeli i urgjencës. E kemi ngritur këtë shqetësim si opozitë. Opozita ka argumentuar me fakte që në krye të herës. U shkel ligji i shërbimit të urgjencave, që në Tiranë kalojnë në tre pika. I denigroj bluzat e bardha. Unë në parlament, kolegët e mi, që lëvizin autoambulanca të pa kolauduara.

Skënder Brataj: Nga 2005. Flisni me dokumente dhe jo me llafe.
Albina Deda: Ato autoambulanca janë të pa kolauduara. Ne i kemi kërkuar Ministrit të Shëndetësisë të sjell projektin e urgjencës së Tiranës. Nëse nuk sillet një projekt për këtë pseudo-reformë, kjo çorba që ka urdhëruar Beqaj dhe Rama bie era korrupsion.
Skënder Brataj: Unë jam profesionist, kam ardhur të ofrojë shërbim.
Albina Deda: Ju keni denigruar bluzat e bardha.

Skënder Brataj: Nuk dua të justifikojë faktin se ka autoambulanca të reja të vjetra, probleme ka. Do vinë në reja. Ju nuk keni bërë asnjëherë trajnim.
Frrok Bardhi: Kush të ka zgjedhur në këtë punë?
Skënder Brataj: Drejtori i Urgjencës Kombëtare emërohet ose shkarkohet me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë.
Zoti Skënderi Çfarë mendimi keni lidhur me këtë debat që është zhvilluar deri tani?
Sabri Skënderi, kreu i “Urdhrit të Infermierit”: Jam i mendimit se duhet menduar më tepër për kushtet e punës. Nuk duhet mohuar se ka blerje të ambulancave. Të gjithë kanë të drejtat e tyre për të kërkuar më tepër kushte. Unë kam pasur mendim tjetër për infermierin Bardhi. Ai ka punuar tek Urgjenca e Tiranës dhe ka kontribuuar. Por protesta e tij në formë dhe në përmbajtje mendoj se nuk është e duhura pasi ai ka shkelur etikën profesionale. Grisja e bluzës nuk përfaqëson infermierët, pasi ai kërkon sërish bluzën e bardhë. Veprimi tij për urdhrin e infermierit është i dënueshëm, ndërsa e mbështesim iniciativën për të kërkuar kushte pune.

Ai shpjegoi se ishte gjendja emocionale për këtë veprim?
Sabri Skënderi: Nëse ne do revoltohemi para një gazetari do kemi probleme më të vështira me pacientet. Duhet të trajtohemi me etikë .

Do merrni masa ndaj infermierit Bardhi?
Sabri Skënderi: Ne kemi një kod etik dhe për çdo rast duhet të ruhet etika profesionale. Por nëse do mbahet një qëndrim ndaj Bardhit kjo do bëhet në komision.

Keni pasur ju ankesa nga ana e infermierëve të Shqipërisë për kuhste të vështira?
Sabri Skënderi: Ankesa direkte nuk kemi pasur, por ne jetojmë për infermierët. Nuk është vetëm Urgjenca, por ka dhe institucione të tjera që kanë pasur probleme me kushtet e punës dhe ne i kemi bërë publike tek Ministria e Shëndetësisë.

Infermieri Frrok Bardhi: Puna jonë është e jashtëzakonshme, pasi ne kemi të bëjmë direkt me sëmundjet e pacienteve. Unë kam bërë gabim me grisjen e bluzës, por unë jam i gatshëm për çdo dënim.

Albina Deda-Skënder Bratajt: Ju Jeni nën hetim. Urgjenca e Tiranës po lirohet dhe po ndërtohet pallat…

Skënder Brataj:Ky është kulmi, ju vetëm shpifni…

Albina Deda: Kam mbaruar me rezultate të larta dhe jam mjeke…

Skënder Brataj: Këtu nuk jemi në Parlament. Mua më akuzoni për korrupsion? Për çfarë më akuzoni?

Albina Deda: Do shkojmë në terren dhe do ballafaqohemi me këtë degradim të bluzave të bardha të cilët nuk kanë as kontratë.
Zoti Bardhi keni kontratë?
Frrok Bardhi:Unë deri në këtë moment nuk kam kontratë.
Deda: CV ime ndryshon nga ajo e jotja dhe e Beqajt dhe asnjëherë nuk i kam braktisur bluzat e bardha.
Brataj: Çfarë lidhjesh ka kjo…

(d.d/m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb