Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Greqinë për ngritjen e një pike doganore të përbashkët për luftën ndaj krimit të organizuar.

Me tone të ashpra, Berisha sulmoi qeverinë shqiptare, teksa u shpreh se “krimi më i shëmtuar, më i egër, më barbar, është i kriminelëve në qeverinë shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tij kudo që janë”.

Më tej, ish-kryeministri tha se me Portin e Durrësit po bëhet afera më e madhe korruptive në Evropë. Sipas tij, Porti i Durrësit nuk do të ndërtohet nga arabët, por i ka kaluar një kompanie ofshore, ku po pastrohen shuma përrallore nga bashkëpunëtorët e Ramës dhe Bashës.

“Sot diskutohet në marrëveshje me fqinjin tonë jugor për luftën kundër krimit të organizuar. Dua të theksoj se çdo marrëveshje e kësaj narkoqeverie për luftën kundër krimit të organizuar është fund e krye një falsitet, formalitet, pasi Shqipëria është vendi në të cilin krimi i organizuar, siç thotë raporti i DASH, e ka shndërruar në qendrën operacionale të organizatave kriminale të rajonit, Evropës, Amerikës dhe Lindjes së Mesme. Nuk ekziston një vend i dytë me këtë fuqi të së keqes, krimit, si Shqipëria, dhe kjo ka vetëm një arsye, lidhjen e tij të tmerrshme me qeverinë. Narko-qeveria nisi qeverisjen e saj me instalimin në Xibrakë të uzinës më të madhe të kokainës në Ballkan, nën patronazhin direkt të klanit Rama. Genti Xhixha i laboratorit të kokainës kishte lidhje direkte me Edi e Olsi Ramën.

S’e keni harruar se si deputeti Mark Frroku nxori liderin e grupit të trafikantëve, me lejen e Edi Ramës. Çfarë ndodh tani? 3-4 fishohen brenda disa muajve kompanitë e bananeve. A e dini pse? A e dini kush e kontrollon Portin e Durrësit? Nallbani i Xibrakës, i Hakmarrjes për Drejtësi, i Edvin Drogës e Lulzim Pengut, që e ka gjysmë baxhanak të dashur. Nuk është rastësi se nark-kokaina kalohet te Porti i Durrësit. A e morët vesh apo jo? Se Emari u zhduk, s’ka më lidhje me Portin e Durrësit, por kanë dalë disa kompani ofshore, që në bashkëpunim me Kreun e Meduzës dhe Lul Bravën, do lajnë aty shumat përrallore. Afera e Portit të Durrësit është afera më e madhe korruptive në Evropë. Kjo që po them sot është vetëm një kapitull, kapitulli tjetër është edhe më i zi. Fqinjët tanë kanë shqetësim të madh krimin në Shqipëri. Policia shqiptare është e kanabizuar në çdo qelizë të saj.

Një javë më parë pashë një qytetar që i thoshte policit se kapelja të kushton 350 euro taksa të mia, ndërkohë që në Suedi kushton 15 euro. Këta si lukuni përdorin krimin dhe vjedhjen.

A e dini ç’ndodhi dje apo jo? Drejtori i policisë, në pamje të parë, një i ri se s’ja di moshën, por me porosi të këtij (Ramës), i dërgon një mesazh të gjatë ngushëllimi njërit prej xhelatëve më të egër të shqiptarëve, të diktaturës hoxhiste. Në diktaturë policia bënte garë, se kush do të çonte më shumë në burg, kush do të internonte më shumë. Pra, Policia e Shtetit nuk ishte Sigurimi i Shtetit, por ishte një armë në duart e partisë. I dërgon mesazh vlerësimi, me fjalë e superlativa, një xhelati të shqiptarëve, dhe ju prisni pastaj të luftohet krimi. Po krimi më i shëmtuar, më i egër, më barbar, është i kriminelëve në qeverinë shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tij kudo që janë”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb