LEZHE- 40 vota më tepër janë gjetur në një kuti votimi në një qendër të numërimit të votave në Lezhë. Denoncimin e ka bërë deputetja e këtij qarku, Monika Kryemadhi.

Gjatë një prononcimi për News24, Kryemadhi pohoi se do të dorëzojë në prokurori një padi ndaj 7 komisionerëve të kësaj qendre votimi, ndërsa theksoi se nuk do ndalet qofshin ata të LSI-PS-PD.

“Në kutinë 720 të Komunës Kolsh janë gjetur 40 fletë votimi mbi numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë në votime. Sigurisht që kjo është një gjë shumë e rëndë që ka ndodhur, është një cenim i procesit zgjedhor. Është një deformim i votës së qytetarëve. Dua t’ju njoftoj që ne do të bëjmë padi në Prokurori për të 7 komisionerët, të PS, të LSI apo të PD dhe i ftoj edhe kolegët e PD-së që ta bëjnë edhe ata të njëjtën gjë. Sepse mendoj se ne duhet t’i japim fund procesit të deformimit të votës që i bëjmë qytetarëve. Unë po e ndjek numërimin nga zyra e shtabit, e cila funksionon edhe përmes një softueri ku hedhim të dhënat dhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejt me KZAZ-të, qendrat dhe me organet e drejtësisë. Stafi do të bëjë denoncimin në Prokurori, sepse sot është ditë e hënë dhe normalisht të gjitha zyrat janë të hapura. Mendoj se duhen bërë disa shembuj të mirë që të marrë fund një herë e përgjithmonë cenimi i procesit të votimit.”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se “Nuk kam dyshimin më të vogël që do t’i shkojmë deri në fund dhe mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të vetëdijshëm dhe europianë dhe të jenë të vetëdijshëm evropianë edhe në këtë proces zgjedhor dhe jo vetëm në të veshur. Tension nuk ka pasur. Surpriza ka pasur faktikisht me thënë të drejtën, por surprizat po fillojnë të verifikohen se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë u është thënë të gjithë numëruesve tanë dhe përfaqësuesve tanë në KZAZ që të jenë shumë të vëmendshëm për mosbllokimin e procesit zgjedhor, por për verifikimin e çdo parregullsie, sepse është shumë e rëndë që në një kuti votimi të gjenden 40 fletë votimi mbi numrin e zgjedhësve. 40 fletë votimi nuk është gabim njerëzor, por është një dorë e fshehtë që i ka futur.”, tha deputetja e LSI-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: